Një vit nga tërmeti, ende ka familje në çadra, Klosi në ABC: Pandemia na i vështirësoi punët

schedule20:12 - 27 Nëntor, 2020

schedule 20:12 - 27 Nëntor, 2020

Një vit nga tërmeti i 26 nëntorit, rindërtimi nuk po shkon ashtu siç ishte premtuar nga qeveria sepse pandemia i ka vështirësuar proceset e punës. Kështu u shpreh Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë një bisede më gazetaren Jonida Shehu në “Radari Informativ” në ABC.

Përtej kësaj, Klosi e ka cilësuar punën e bërë deri më tani nga qeveria si të jashtëzakonshme, edhe pse ende në zonat e prekura ka familje që jetojnë në banesat e rrënuara, çadra apo kontenierë.

“Sa i përket rindërtimit, pandemia është një faktor shumë i vështirë. Një nga kartat e forta për PS, do të jetë mënyra sesi menaxhuam një ngjarje të jashtëzakonshme, për qytetarët dhe sesi po përpiqemi kaq fort, për të krijuar ambientin e nevojshëm për sistemim e këtyre qytetarëve…Në faza të caktuara e kemi menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer.”

I pyetur nëse, në gjithë këtë proces kishte diçka që nuk shkoi mirë, ministri theksoi sërish se proceset u goditën fort nga pandemia.

“Proceset u goditën fort nga pandemia. Raporti, i goditjes që morëm ne, i gjithë sistemi, konferenca e donatorëve. Mbi 1 miliard eurot e premtuara janë në proces. 155 shkolla që u dëmtuan janë të gjitha në proces vlerësimi. Zonat e reja të banimit janë në proces… askush nuk u la jashtë vëmendjes.”

Megjithatë, Blendi Klosi e pranoi se jo në të gjithë Shqipërinë situata është rozë, “ka edhe detaje që nuk ecin.”

“Kur u bë plani i rindërtimit, nuk mendohej mbyllja, këto janë probleme që duhet t’i marrim në konsideratë..”

Prej dy javësh, ministri është tashmë negativ për koronavirusin, dhe duke folur për eksperiencën e tij ai u bëri thirrje qytetarëve që ta marrin me seriozitetin e duhur.

“Është një sëmundje e keqe, e pabesë. Isha në gradën e kujdesshme. Kam një thirrje për qytetarët, kur ndjehen të goditur të lidhen menjëherë me mjekët. Mua më ndoqi mjeku im. Pata edhe një kolpo diabeti. I pata të gjitha ato që dëgjojmë. Nuk mora oksigjen. Nga diabeti isha shumë i kujdesshëm. Thirrja kryesore është që të mos e nënvlerësojmë. Pas ditës së pestë janë  ditë shumë të vështira, dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm.” s.b/abcnews.al/