“Një vend i vogël, djallëzor”, Rama komenton deklaratën kërcënuese të Iranit

schedule11:11 - 9 Janar, 2020

schedule 11:11 - 9 Janar, 2020

Kryeministri Edi Rama ka komentuar deklaratën e liderit Suprem të Iranit, Khamenesi i cili e quajti vendin tonë djallëzor pasi ka strehuar anëtarët e MEK.

“Situata aktuale në brigjet jugore tregon sa e ngushtë dhe e ndërlikuar është situata. Po flas në emër të një vendi që dje u etiketua si një vend djallëzor nga autoritetet totalitare të Teheranit”, u shpreh Kryeministri Edi Rama nga Vjena, aty ku Shqipëria ka marrë zyrtarisht kryesimin e OSBE .

Kujtojmë se ditën e djeshme, pas sulmit ndaj dy bazave amerikane, Lideri Suprem i Iranit, Khamenesi ka folur për SHBA-në dhe bashkëpunëtorët. Ai nuk e përmendi emrin e Shqipërisë, por e la të nënkptuar. “Një vend i vogël, por shumë djallëzor europian, ku tradhtarët e Iranit bashkëpunojnë me amerikanët kundër Republikës tonë Islamike”.

Është e lehtë të bëhet lidhja me Shqipërinë pavarësisht se nuk i përmendet emri, duke qenë se vendi ynë është i vetmi në Evropë, ku janë strehuar ata të cilëve Irani u referohet si “tradhtarë”. Pikërisht, muxhahedinët e MEK, të cilët janë strehuar në Manzë të Durrësit.

Rama u pyet edhe dje nga gazetarët për  rrezikun që mund t’i vijë Shqipërisë nga muxhahedinët që ndodhen në vendin tonë.

“Kjo nuk është një temë e re për ne. Ne kemi ndërmarrë një veprim që i bën nder Shqipërisë, që është në vazhdën e një aleance strategjike me SHBA, për t’u hapur dyert një grupi njerëzish që janë në rrezik për jetën. Ata janë në Shqipëri si rezultat i një operacioni humanitar dhe jo politik.

Nuk besoj se kjo e ekspozon Shqipërinë sepse ne jemi në kontakt permanent me aleatët tanë dhe kur është puna te inteligjenca… edhe në këtë rast ne jemi në duar të sigurta kur është fjala te marrja e informacionit. Por sigurisht që jemi të angazhuar në përditshmëri për këtë proces”, u shpreh Rama. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!