Një trajnere grua në futbollin e meshkujve

schedule22:45 - 16 Janar, 2019

schedule 22:45 - 16 Janar, 2019

Një trajnere femër caktohet në krye të një skuadre të futbollit të meshkujve në Gjermani. Imke Vyberhorst do të ketë sfidën më të madhe të jetës së saj, sidomos për shkak të mentalitetit.

Skuadrën e merr në vendin e fundit, por nuk është ky shqetësimi kryesor. Imke Vybenhorst, një gjermane 30-vjeçare, u bë e para trajnere grua që drejton një ekip meshkujsh në Gjermani, saktësisht në kategorinë e pestë me Klopenburgun. Ish-futbolliste e njohur me Hamburgun dhe pikërisht Klopenburgun, ajo mori përsipër detyrën në fund të Dhjetorit të kaluar, ndërsa ka nisur tashmë sfidën më të madhe të jetës së saj. Mediat gjermane theksojnë se problemi kryesor për trajneren e re do të jetë të tjetërsojë mentalitetin e një sporti që është dominuar nga burrat, dhe që mund të vazhdojë të jetë i tillë.

“Nuk e kam problem që të drejtoj një skuadër me djem, – u shpreh ajo, – as që të hyj në dhomën e zhveshjes, kur ata të jenë lakuriq. Unë jam profesioniste dhe kam luajtur futboll gjithë jetën time”.

Mbështetja nga miqtë nuk i ka munguar, siç e tregojnë edhe mesazhet në rrjetet sociale, pas marrjes së detyrës. Presidenti i klubit, Herbert Shrëder, është gjithashtu me kurajë.

“Natyrisht, që ka një shqetësim, – u shpreh ai, – por, kjo ka lidhje me mentalitetin seksist, si maço. Duhet që njerëzit ta heqin atë mentalitet. Në fund të fundit, asgjë nuk vjen vetë, por duhet provuar”.

Imke arriti gjëra të rëndësishme në karrierë si lojtare. Ndihmoi ekipin e vajzave të Klopenburgut që të ngjitej në Bundesligë në vitin 2013. Ishte pjesë e kombëtares, dhe u shpall kampione e Europës me Gjermaninë U19 për femra, në 2006 e 2007. Tashmë, në stolin e Klopenburgut, sfida do të jetë e dyfishte, aq më tepër me skuadrën që ndodhet në vend të fundit në Oberligë, pra në rrezik shumë të madh për të rënë nga kategoria./abcnews.al