E ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, ekspertja e Sigurisë Kibernetike Nadia Elbasani, foli për sulmet kibernetike që goditën aviacionin europian, pak ditë më parë.
Gjatë intervistës ajo tha se me kalimin e viteve ka ndodhur një sofistikim i sulmeve kibernetik. Ekspertja nënvizoi se këto sulme kanë një organizim dhe financim të mirëfilltë.
“Kaluan në një nivel edhe më të lartë që është goditja e infrastrukturave më kritike. Kryhen sepse ka një organizim dhe financim të mirëfilltë. Bëhen në porte, aeroporte apo spitale dhe kanë si synim destabilitetin. Problematika e gjetjes së autorëve është edhe më e lartë”, tha ajo.
Në studion e “War Report” në ABC News, komentoi edhe evolucionin e sulmeve kibernetike nga 2018-2024 duke thënë se ndër vite ka pasur një rritje.

Më tej solli edhe në vëmendje luftën në Ukrainë, duke thënë se “po testohet durimi i shteteve si pasojë e goditjeve kibernetik”.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar është rritur, dhe nuk është menduar në mënyrën më të mirë të mundshme rritja e eficencës në sigurinë kibernetike”, u shpreh ajo.
Sulmet në aeroporte kanë shkaktuar probleme si në ekonomi, në vonesa të lëvizjeve, por ndikon edhe tek politika e vendeve.
Ndërsa sulmet “ransomware”, siç tha ekspertja Nadia Elbasani, janë më të pikasura në aeroporte.
“Sulmet kibernetike kanë kaluar në nivel më të larta, me grupe hakerësh terroristë gati-gati. Besoj që sulmi që ndodhi goditi infrastrukturë kyçe. Kemi kaluar jo vetëm në aspektin fizik të luftë, por kemi edhe aftësinë për të goditur me anë të sulmeve kibernetike duke shkaktuar dëme të mëdha”, tha mes të tjerash ajo.
/abcnews.al/


