Një tjetër fitore në arbitrazh, kompania austriake “Ivicom” kërkonte shpërblim në vlerën e 37 milionë eurove

schedule17:41 - 22 Gusht, 2024

schedule 17:41 - 22 Gusht, 2024

Shqipëria ka fituar një tjetër përballje në arbitrazhin ndërkombëtar. Këtë radhë ka qenë një gjyq me kompaninë austriake IVICOM Holding GmbH  një çështje kjo e ndjekur nga Ministria e Infrastrukturës dh Energjetikës.

Pretendimi i kësaj kompanie ishte se Shqipëria kishte ndërmarrë veprime diskriminuese duke shpronësuar investitorin austriak dhe duke i shkaktuar një dëm të vlerësuar fillimisht prej 50 milionë eurosh, pretendim i cili gjatë procesit të Arbitrazhit u reduktua përafërsisht 37 milionë euro, plus interesat e akumuluara.

Investimi I kësaj kompanie parashikonte ndërtimin dhe zhvillimin e një termocentrali me turbina me gaz me cikël të kombinuar 500 MW pranë qytetit të Korçës.

Pas kallëzimit të bërë në vitin 2021 Tribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit me seli në Stokholm vendosi që Republika e Shqipërisë nuk kishte shkelur asnjë rregull të Traktatit të Energjisë dhe hodhi poshtë tërësisht pretendimet e IVICOM.

Po ashtu në vendim Gjykata e Arbitrazhit ka rrëzuar edhe pretendimin e kompanisë austriake se projekti i termocentralit me gaz praktikisht konsiderohej i “miratuar” që në momentin kur IVICOM mori statusin e investitorit strategjik dhe se ky status në vetvete krijonte pritshmëritë legjitime për një investitor që projekti i tij do të miratohet.

Në këtë proces të rëndësishëm arbitrazhi ndërkombëtar, Republika e Shqipërisë u përfaqësua nga Avokatura e Shtetit, e mbështetur nga ekspertët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe e asistuar nga studio ligjore ndërkombëtare e Clifford Chance.

Ky është procesi i tretë në arbitrazhin ndërkombëtar, që Qeveria Shqiptare fiton në një hark të shkurtër kohor prej disa muajsh, kundrejt kompanive të huaja dhe që lidhen me procedurat e ndjekura nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Më herët në arbitrazh  janë fituar edhe çështjet e ngritura nga kompanitë Bankers Petroleum dhe Durrës Kurum Shipping.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!