Sondazh

Zvërneci, protestë për:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Një “Stradivari” në Shqipëri? Historia frymëzuese e Ervin Gjonit, krijuesit të violinave

schedule13:23 - 11 Qershor, 2026

schedule 13:23 - 11 Qershor, 2026

Nga ekonomia te arti i rrallë i ndërtimit të violinave, rrugëtimi i Ervin Gjonit është një histori pasioni, këmbënguljeje dhe përkushtimi ndaj mjeshtërisë së lartë artizanale.
Sot, në punishten e tij në Shqipëri, lindin instrumente që udhëtojnë në të katër anët e botës, duke mbajtur firmën e një shqiptari që vendosi të ndryshojë rrjedhën e jetës për të ndjekur ëndrrën e tij.

Gjithçka nisi kur ishte vetëm 16 vjeç. I apasionuar pas muzikës, Ervini studioi kitarë me profesorët Mehdi Prodani dhe Edison Misja. Edhe pse nisi studimet për Ekonomi, pasioni për muzikën rezultoi më i fortë. Në vitin e tretë të universitetit ai ndërpreu studimet dhe mori rrugën e emigracionit. Fillimisht në Rumani, ku vijoi të ndiqte leksione private kitare, e më pas në Itali. Shkurti i vitit 1994 e gjeti në Treviso, ku vazhdoi formimin muzikor. Por ishte fundi i vitit 1995 ai që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë. Ervini u vendos në Cremona, qyteti legjendar i violinave, dhe u regjistrua në degën e liuterisë në Institutin prestigjioz “Antonio Stradivari”.

“Çdo instrumentist duhet të shohë se si është ndërtuar instrumenti që luan”, thotë ai sot, duke kujtuar vendimin që e çoi drejt profesionit të jetës. Talentit iu bashkua edhe përkushtimi. Pas rezultateve të shkëlqyera në provimet e para, ai arriti të eliminojë dy vite studimi. Në vitin 1996 fitoi bursë si studenti më i mirë i vitit paraardhës, ndërsa në vitin 1999 u diplomua me rezultatet më të larta.Ndërkohë, në vitin 1998 kishte ndërtuar violinën e tij të parë – një kopje të një violine Stradivari. Sot ajo ruhet si pjesë e koleksionit të tij privat, një kujtim i fillimit të një rruge që do ta çonte drejt njohjes ndërkombëtare. Instrumentet e krijuara nga Ervin Gjoni luhen nga muzikantë profesionistë në të gjithë botën. Violinat, violat dhe violonçelat e tij gjenden në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brazil, Kanada, Argjentinë, Korenë e Jugut, Japoni dhe Australi.



Një pjesë e rëndësishme e suksesit të tij lidhet me kërkimin e pandërprerë për materialin perfekt. Në Cremona ai pati fatin të gjente sasi të konsiderueshme panje dhe bredhi të stazhonuar që prej viteve ’50 të shekullit të kaluar – një thesar i vërtetë për ndërtuesit e veglave me hark. “Për të bërë një violinë të mirë duhet një dru i veçantë”, shpjegon ai.
Që prej vitit 2009, Ervini ka nisur një tjetër mision: kërkimin e panjës së famshme të Ballkanit. Ai ka udhëtuar nëpër malet e Shqipërisë, duke kërkuar trungje me cilësi të jashtëzakonshme, të përshtatshme për ndërtimin e instrumenteve muzikore.

Kërkimet e tij kanë dhënë fryte. Ai ka zbuluar disa trungje tepër të vlefshme, duke dëshmuar se Shqipëria fsheh pasuri natyrore që mund të shndërrohen në instrumente me tingull të jashtëzakonshëm. Sot, Ervin Gjoni është një nga mjeshtrit shqiptarë që mban gjallë traditën e liuterisë së shkollës së Cremonës. Një histori që nis me një kitarë në duart e një adoleshenti dhe vazhdon me violina që tingëllojnë në skenat më prestigjioze të botës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!