Një shpirt i lirë si Diana Ziu/ Kompozitorja rrëfen në ‘Pas Mesnatë’ detajet e Simfonisë së Jetës

schedule10:57 - 17 Shtator, 2024

schedule 10:57 - 17 Shtator, 2024

‘Pas Mesnatë’ u zhvendos këtë herë në Ziçisht, ku jeton prej 17 vitesh kompozitorja e mirënjohur Diana Ziu.  Përvec tingullit, një tjetër ‘armë’ e fortë e saj, por e heshtur është piktura. Diana vijon të jetë me laps në dorë, ndërsa rrëfen për Pas Mesnatë se ëshë duke kompozuar “Simfoninë nr.2”.

“Me vjen kjo Simfoni e dytë pas një pune të madhe që kam bërë me Simfoninë e parë, që është luajtur në orkestrën e RTSH dhe është vlerësuar në një konkurs për 100 vjetorin e Pavarësisë me një çmim të parë. Kam marrë një kënaqësi të rrallë, juria ishte me artistë të mrekullueshëm shqiptar, por edhe botëror. Doja të kisha të kisha një kontrast shumë të madh mes kohës së parë, të dytë dhe finales. Doja të vallëzoja te kjo Simfoni. Nuk e di sa ia kam arritur, por atë që kam në zemër, jam e bindur që e kam shkruar. Për mua kjo ka rëndësi, të ruaj tingullin.” -shprehet ajo.

“Kam patur shumë fat të kem pedagog për shumë vite Cesk Zadejën, më nisi në këtë rrugë, kjo degë ishte një degë e re që u hap. Isha e propozuar nga profesori, dhe e nisa këtë rrugë. Kisha edhe një fat të madh se ishim komshi prej vitesh. Dija, kultura dhe shkollimi fat është me kë i merr dhe unë pata fatin shumë të madh, që vërtetë prej shumë vitesh deri në diplomim, të kisha profesorin e madh, emrin e pavdekshëm Cesk Zadeja” vijoi Ziu, ndërsa zbulon për Pas Mesnatë, një fragment nga Simfonia nr2.

“Kjo Simfoni vjen pas një pune shumë të madhe me disa vepra të tjera. Sapo kam mbaruar edhe një koncert për violinë, ato janë të përfunduara dhe të pa interpretuara, nuk e kanë bërë premierën e tyre. Kjo simfoni është një pikë kulminante për mua pasi aty ka një punë shumë të madhe. Kur përfundon orkestracioni është një arkitetkturë tjetër edhe ajo, deri sa të interpretohet, është një ëndërr për mua që të interpretohet.  Unë e vuaj këtë që pak luhen veprat tona shqiptare. Kompozitorë ka, krijues po, pse jo t’i jepet mundësia të shkruajnë tani, në kohën reale. Futet një harmoni e re, një gjë krejt ndryshe. Ka një qasje ndryshe sot, ndaj them që mos të mbeten në letër të shkruhet, dhe t’i jepet mundësia për të interpretuar, dhe kjo ka shumë pikëpyetje.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!