Një rus në krye të Interpol-it, SHBA: Si dhelpra në kafazin e pulave

schedule08:41 - 21 Nëntor, 2018

schedule 08:41 - 21 Nëntor, 2018

Kandidimi i një zyrtari rus për drejtimin e Interpol-it dhe shanset serioze për zgjedhjen e tij kanë shkaktuar reagimin e qeverive Perëndimore dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut, që kanë deklaruar se një lëvizje e tillë do të vendoste mafian në krye të agjencisë policore europiane.

Kandidimi i një zyrtari rus për postin e drejtorit të ri të përgjithshëm të Interpol-it ka shkaktuar jo pak polemika. Aleksandër Prokopçuk, një zyrtar karriere në Ministrinë e Brendshme ruse, ka gjasa të zgjidhet në procesin e votimit që mbahet të mërkurën në Lion të Francës. Emërimi i tij për të drejtuar agjencinë policore europiane vjen pak kohë pas zhdukjes së paradhësit Meng Hong Uei, i cili po hetohej nga autoritetet e anti-korrupsionit në Kinë. Zgjedhja e Prokopçuk do të ishte një sukses i madh për Rusinë, por figura e tij kontestohet nga grupet e të drejtave të njeriut, por edhe shumë zyrtarë europianë, që druhen se pozicioni i tij mund të keqpërdoret nga Moska për të përndjekur kritikët e Kremlinit.

Duke shprehur rezervat e tyre, disa senatorë amerikanë kanë deklaruar se zgjedhja e Prokopçuk është njësoj si të fusësh dhelprën në kafazin e pulave. Ndërsa kritikët e regjimit të Moskës kanë deklaruar se, një lëvizje e tillë do të vendoste mafian në krye të agjencisë policore europiane. Sidoqoftë, zyrtari rus, që ka gradën gjeneral madhor në policinë ruse, ka shanse serioze të zgjidhet nisur nga fakti se aktualisht është edhe një nga 4 nëndrejtorët e Interpol. Por kritikët kanë akuzuar Rusinë se mund ta keqpërdorë këtë pozicion për të përndjekur kritikët e saj me urdhër-arreste ndërkombëtare, të njohura ndryshe si “kartat e kuqe”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!