Një rrugë merr emrin e ish-kryebashkiakut të parë të Tiranës, Veliaj: U rreshtua në anën e duhur të historisë, jo të partisë

schedule14:53 - 6 Qershor, 2024

schedule 14:53 - 6 Qershor, 2024

Emri i Tomor Malasit, një prej figurave të spikatura të PD-së pas 90-ës, ish-kryetari i parë i Bashkisë së Tiranës në vitet 1991-’92 dhe ish-nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, është përjetësuar në një rrugë në Tiranë. Në fjalën e mbajtur në ceremoninë në prani të familjarëve dhe të afërmve të Tomor Malasit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi atë një simbol të ndryshimeve të mëdha të asaj kohe në kryeqytetin shqiptar.

“Në jetën e një qyteti ka njerëz që kthehen në simbol të kohës që përcakton ndryshimet e mëdha të historisë së një vendi. Tomor Malasi e pati këtë fat, të ishte simbol i kohës që po kalonte Shqipëria në fillim vitet ‘90”, tha Veliaj. Projektimi i Tiranës si metropoli më i madh i Ballkanit, sipas tij, u bë para 30 vitesh nga Tomor Malasi, i cili mundësoi vendosjen në kryeqytet të të gjithë atyre që erdhën nga çdo skaj i Shqipërisë.

“Tomor Malasi ishte njeriu që, opozita e asaj kohe, Partia Demokratike, ia besoi përfaqësimin e Tiranës, kryeqytetit tonë. Tomor Malasi pati fatin të ishte kryetari i Tiranës që shembi murin e lëvizjes së lirë në Shqipëri. Malasi e shembi këtë mur dhe liberalizoi vendosjen në Tiranë të të gjithë atyre që donin të vinin nga çdo skaj i vuajtur dhe tejet i vështirë i Shqipërisë, duke e kthyer atë, pas 30 vitesh, në metropolin më të madh të Ballkanit Perëndimor. Atij i ra fati, Gjithashtu, t’i hapë rrugë Tiranës kozmopolite, multikulturore, që bashkon qytetarin e Tropojës me atë të Tepelenës në një shkallë pallati, dhe që sot ndoshta sheh me shpoti ata që tentojnë ta shpallin Tiranën ekskluzivitet vetëm i atyre që kanë lindur ‘den baba den’ në Tiranë”, deklaroi ai.

Duke e përshkruar si një politikan të urtë dhe të ndershëm, Veliaj shtoi se Malasi u rreshtua në anën e duhur të historisë e jo të partisë. “Tomor Malasi do mbahet mend si një politikan i urtë, i pjekur dhe i përgjegjshëm, që në momentet kyç të vendit u rreshtua në anën e duhur të historisë, jo në anën e partisë. Ai u bë nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë në periudhën ’92-’96, në vitet jashtëzakonisht të vështira të tranzicionit, duke dëshmuar një urtësi të rrallë për atë kohë trazirash dhe një pjekuri në vendimet e veta”, u shpreh Veliaj.

Në fund, kryebashkiaku nënvizoi faktin se Malasi u rreshtua në grupin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të PD-së, të cilët kërkonin që kjo forcë politike dhe ish Presidenti Berisha, të mbanin përgjegjësi për fajdet që shkaktuan trazirat e vitit 1997.

“Madje, edhe në vitin ’97, në atë vit të mbrapshtë të Shqipërisë, iu bashkua grupit të deputetëve të PD, që u bënë rezistencë atyre politikanëve që donin t’i vinin zjarrin Shqipërisë për interesa të politikës së momentit. Ai u tërhoq nga të qenit politikan aktiv, duke mbetur një qytetar model i kryeqytetit tonë, një njeri që ka ngelur në kujtesën e këtij qyteti, si simbol i vlerave politike dhe i vlerave qytetare dhe njerëzore të Tiranës sonë të madhe. Emri i tij i bën nder Tiranës, më shumë se sa Tirana i bën nder duke i vënë emrin kësaj rruge “Tomor Malasi”, përmbylli Veliaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!