Një nga 6 shtetasit turq është arrestuar dhe ekstraduar gabimisht nga Kosova

schedule10:44 - 27 Prill, 2018

schedule 10:44 - 27 Prill, 2018

Sipas mediave kosovare një nga gjashtë shtetasit turq të arrestuar dhe më pas deportuar në Turqi nga Policia e Kosovës, nuk figuronte në listën e personave të kërkuar nga autoritetet turke për lidhje me organizatat e Fetullah Gulen.

Në skandalin me arrestimin dhe ekstradimin e gjashtë shtetasve turq, shteti i Kosovës përveçse ka shkelur ligjet e veta dhe të drejtat e njeriut duke dorëzuar këta persona në duart e Shërbimit Sekret Turk, ka bërë edhe një ngatërresë të madhe. Mediat kosovare raportojnë se bazuar në dokumentet dhe dëshmitë e siguruara nga “Koha Ditore”, njëri prej gjashtë shtetasve turq është arrestuar dhe ekstraduar gabimisht. Policia e Kosovës me urdhër të Agjencisë Kosovare e Inteligjencës ka kërkuar të arrestojë shtetasin turk Hasan Hüseyin Demir, por në vend të tij ka arrestuar shtetasin tjetër turk, Hasan Hüsein Günakan.

A jeni ju Hasan Hüseyin Demir?”, e ka pyetur zyrtari i Policisë së Kosovës profesorin e kimisë të shkollës “Gylistan”. “Jo nuk jam unë ky person”, është përgjigjur ai. “Unë jam Hasan Hüseyin Günakan”. Më pas agjenti i policisë bisedon me zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, jashtë ndërtesës së Aeroportit të Prishtinës, duke e pyetur se cfarë të bënte. Pas një bisede të shkurtër telefonike zyrtarët e AKI-së i thonë agjentit të policisë se ai ishte personi që duhej arrestuar dhe ekstraduar./abcnews.al