Një në katër apartamente në Shqipëri blihen nga të huajt, ka deklaruar në emisionin “Sheshi i Dollarit”, drejtori Ekzekutiv i NAREA, Reinaldo Pipiria.
“Ndryshe nga 2022 ku 14% ishin blerësit e huaj, tani është 26%. Ka një lloj faktori kyç tani ku një në 4 apartamente blihen nga të huajt, pjesa tjetër janë nga reminitantat. Kryesisht ky është shpjegimi që kanë statistikat shqiptare. Mendoj 80-85% shpjegohen nga këto burime, por bëhet fjalë dhe për një pjesë tjetër të shqiptarëve të cilët kanë më shumë se një banesë. Këto janë statistikat, pastaj nëse duam të bëjmë aludime janë pafund”.
Nga ana tjetër, në një lidhje me Skype, eksperti për pasuritë e paluajtshme, Dritan Ballgjini ka thënë se blerjet e apartamenteve në bregdet bëhen kryesisht nga emigrantët.
“Unë nuk do ti quaja blerës të huaj, po shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë. Duhet të kuptoni që Tirana dhe bregdeti ku ata po blejnë është akoma i lirë për ta. Duhet të kuptoni që po të vëmë në balancë çmimet në Tiranë dhe mos të shkojmë më larg se Beogradi ne kemi disnivele të caktuara në raport me kohën aty ku blihet deri në qendër. Turizmi po luan një rol të rëndësishëm”.
Ndërsa, ekspertja për ekonominë, Teuta Nunaj u shpreh se periferia dhe zonat rezidenciale më të preferuarat në Tiranë, shkak për këtë është bërë aksesi në këto zona.
“Po ndahen zonat në varësi të burimit të ardhurave që kanë shqiptarët për të investuar. Tirana po zgjerohet drejt periferisë, por dhe këta individë me të ardhura të larta po investojnë për një vilë në periferi, pasi kërkojnë qetësi. Unë do të doja të evidentoja dhe një faktor shumë të rëndësishëm që është ai i investimet në infrastrukturë. Investimet publike i kanë bërë këto zona më të aksessueshme. Në qoftë se po investohet në Tiranë, do të thotë që këto zona nuk janë më të izoluara. Mund të marrim rastin e Astirit që ishte një zonë e izoluar dhe tani është gati dyfish. Kështu mund të themi dhe për Vlorën që shumë të huaj vijnë sepse edhe klima është me diell, dhe mënyra e pritjes i bën të huajt të tërhiqet. Këtë mund të themi për zonën e Lungo Mares. Pra, mund të themi që të gjitha investimet kanë çuar dhe në rritjen e çmimeve. Por jemi më lirë se Mali i Zi, Greqia dhe Italia, dhe kjo e bën Shqipërinë tërheqëse për të blerë apartamente”./abcnews.al