“Një moment i rrezikshëm për vendin,” Berisha: Janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh të hetuar nga policia

schedule12:09 - 3 Tetor, 2022

schedule 12:09 - 3 Tetor, 2022

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka denoncuar në një konferencë për mediat rrjedhjen e një numri të madh të dhënash nga sistemi Memex. Berisha, në deklaratën e tij bëri të ditur se janë publikuar nga kartoteka e punës 30-vjeçare të policisë së shtetit të 105 mijë emra shqiptarësh që janë të dyshuar apo nën hetim nga policia për krime të ndryshme.

“Sot nga sistemi Memex që përbën kartotekën e punës 30-vjeçare të Policisë së Shtetit, janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh të dyshuar, të hetuar nga policia për krime nga lloje më të ndryshmet. Nga sistemi janë ekspozuar emrat në mënyrë që të paralajmërohen të gjithë ata që janë në vëzhgim, janë në hetim, janë në shqyrtim për aktivitete të ndryshme kriminale. Ky është një moment jashtëzakonisht i rrezikshëm për vendin. Një moment që dëshmon që çdo gjë në këtë shtet të mafies ndodhet në duart e krimit.”

Po ashtu, kryedemokrati u shpreh duke cituar burime të tij se që nga 15 korriku, nuk është marrë asnjë masë e vetme për mbrojtjen e sistemeve. Sipas Berishës, faktet tregojnë se sistemet shqiptare janë hakuar jo vetëm nga iranianë, por edhe hakera të tjerë “rajonalë, evropianë por edhe qeveritarë.”

“Unë e kam të qartë se hakera iranianë sulmuan portalin e-Albania dhe e besoj raportin e publikuar. Por unë absolutisht, të dhënat faktojnë se ata nuk janë të vetme. Se sistemet dixhitale të Shqipërisë u shkatërruan nga hakera rajonalë, europianë, por edhe strikt qeveritarë. Imagjinoni për një moment, një proces që ka filluar në vitin 2017-2018, proces që u vazhdua me dorëzimin e të dhënave personale të 1 milionë shqiptarëve te patronazhistët, proces që u vazhdua me publikimin e rrogave dhe targave. A ka njeri sot, në një proces të vetëm gjyqësor për gjithë këtë veprimtari, që ishte mirëfilltaz qeveritare? A ka një njeri të ndaluar, të arrestuar, për të gjithë këtë shembje të infrastrukturës digjitale të vendit? Asnjë njeri, sepse drejtësia është një vegël e partisë-shtet dhe zbaton vetëm urdhrat e saj.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!