Sondazh

Berisha bëri protestë me flamur gjerman. Por ndaj dhunës së saj reagon ashpër Gjermania:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Një mision për fëmijët ndryshe/ Mësuesja Majlinda Berati, një jetë në edukimin e nxënësve me aftësi të veçantë

schedule12:42 - 8 Mars, 2026

schedule 12:42 - 8 Mars, 2026

“Është një dashuri e pakushtëzuar, pa kushte, pa justifikime. Një dashuri e pastër, e sinqertë që çdokush prej nesh duhet ta dhuroj atë çdo ditë, dhe jo vetëm në raste të caktuara. Do të veçoja që ndjenjat e tyre janë kaq ideale, të pastra, hyjnore “…

Janë fjalët e mësueses Majlinda Berati, e cila prej katër vitesh ia ka kushtuar jetën profesionale nxënësve me aftësi ndryshe.

Mësuese Majlinda fillimet e karrierës i nisi në arsimin e mesëm, ku jepte lëndën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Por shumë shpejt, përballja me nxënës me aftësi ndryshe bëri që brenda saj të lindte dëshira për të ndjekur një tjetër rrugë në profesion.



“Në fillimet e mija kam punuar edhe si mësuese e “Gjuhës dhe Letërsisë”  por, duke parë këtë kategori nxënësish, duke parë dhe nevojën, duke parë ndjesitë emocionale që unë përjetoja kur nxënës të tillë ishin në klasë, më lindi dëshira që të vazhdoja drejtimin tim si mësuese ndihmëse. Duke dhuruar një ndjesi tjetër, duke marr edhe përjetime nga më të ndryshmet, jam shumë e kënaqur që kam marr këtë drejtim dhe do vazhdoj ta bëj akoma”.

Puna me nxënës me aftësi ndryshe, sipas saj, kërkon një përkushtim dhe përgjegjësi të dyfishtë. Majlinda ndalet edhe tek disa prej sfidave me të cilat përballet çdo ditë në këtë profesion.

“Disa nga vështirësitë që hasim ne mësuesit ndihmës është menaxhimi i tyre në kohë të caktuara. Pasi jo të gjithë mund të kenë një orar të qëndrueshëm në shkollë, në klasë…..një ndër vështirësitë e tjera mund të jetë të nxënit, varet pastaj nga diagnoza e tyre”.  

Megjithatë, për Majlindën asnjë ditë nuk është e njëjtë. Ajo thotë se çdo ditë surprizohet nga nxënësit e saj, të cilët e shohin jetën ndryshe, me më shumë ngjyra.

“Çdo nxënës lë gjurmët e tij tek mësuesit. Do të veçoja një nxënës që e kam edhe tani. Ai më ka nxjerr një anë timen, të cilën nuk e dija që e kam.  Unë nuk jam bërë nënë, por, që tani kam mësuar përkushtimin dhe dashurinë që një mësues si prindi i dytë mund ti dhuroj nxënësit të tij. Aq më tepër kur ky nxënës është me aftësi ndryshe”.

Në këtë mision sa fisnik, aq edhe sfidues, mësuese Majlinda kërkon më shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim nga e gjithë shoqëria, nga kolegët, prindërit, por edhe nga vetë nxënësit.

“Bashkëpunimi mes nxënësve duhet të jetë i rrjedhshëm dhe jo i imponuar. Shoh që në realitetin e sotëm ka shumë bullizim dhe tallje. Ky socializim është po kaq i rëndësishëm, sa dhe vetë terapia”….

Për Majlindën, kjo rrugë duket se është vetëm në fillim.

“Kam menduar që në këtë drejtim të vazhdoj sa të jetë e mundur, mbase në këtë profesion unë mund të dal edhe në pension”.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!