“Një miks mes Pogba, Kante e Viera”, Wenger elozhe për talentin e PSG: Është i mrekullueshëm

schedule10:16 - 15 Nëntor, 2023

schedule 10:16 - 15 Nëntor, 2023

Vetëm 17 vjeç, por është duke mahnitur botën. Bëhet fjalë për “yllin” e mesfushës së Paris Saint-Germain, Waire Zaire-Emery, me 17-vjeçarin, që po shkëlqen me fanellën e “gjigantëve” francezë, teksa deri në këtë pikë të sezonit ka zhvilluar plot 15 përballje, mes Ligue 1 e UEFA Champions League, duke arritur të shënojë 2 e të “dhurojë” 5 gola të tjerë, në ndihmë të skuadrës së tij.

Pavarësisht moshës së re, talenti i mesfushës ka treguar se është një “veteran” në fushën e lojës, për nga klasi, kualitet dhe pjekuria që tregon. Për talentin e tij të madh ka folur edhe ish-“strategu” francez, Arsene Wenger, i cili e krahason me disa emra të mëdhenj 17-vjeçarin.

“Ai ka diçka nga fuqia e Paul Pogba, por gjithashtu ka pika të përbashkëta me N’Golo Kante sa i përket aftësisë për të rikuperuar topa. Zaire-Emery është një miks midis të dyve, një kombinim i dy kampionëve të botës 2018.

Ka aftësinë për të fituar duele pa bërë gabime dhe për të projektuar veten përpara, duke i bërë njerëzit të vlerësojnë vizionin e tij të madh. Ai gjithashtu ka pak nga Patrick Vieira. Një mesfushor ‘box to box’ siç thonë anglezët”,- u shpreh ish-tekniku legjendar i Arsenal.

Ndërkaq, kujtojmë se mbrëmjen e 18 nëntorit, Franca do të luajë ndaj Gjibraltarit, ndeshje, ku me shumë mundësi do të vijë edhe debutimi i Zaire-Emery me fanellën e “gjelave”, duke u bërë kështu lojtari më i ri që luan me 2 herë kampionët e botës, rekord ky që nuk është thyer prej vitit 1914. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!