Një marrëveshje me detyrim: “Paja” e Thaçit dhe Hotit në “Shtëpinë e Bardhë”

schedule14:00 - 20 Qershor, 2020

schedule 14:00 - 20 Qershor, 2020

Më 27 qershor, Kosova dhe Serbia do të jenë në një dhomë, në Shtëpinë e Bardhë, për të nisur kilometrat e fundit të një beteje që zgjat tashmë prej dekadash, qëkur Perëndimi dhe NATO-ja dëbuan forcat serbe nga Kosova; qëkur Kosova shpalli pavarësinë, bazuar në planin Ahtisaari; qëkur BE-ja filloi një dialog që ngeci pa dhënë ndonjë rezultat përfundimtar; dhe shumë qëkur të tjera…
Koha ka ecur dhe ata që lindën në vitin 1999, janë tashmë 21 vjec. Shumë breza të tjerë kanë lindur në vitet më pas.

Ata meritojnë një të ardhme të sigurtë, pa luftë dhe tmerre. Paqja me Serbinë, sado e pamundur apo tmerrësisht e vështirë të duket, është domosdoshmëri. Qytetarët e Kosovës, e dinë dhe e kuptojnë shumë mirë këtë.

Por gjithmonë pikëpyetja mbetet: cfarë lloj paqeje do të jetë kjo, cfarë lloj marrëveshje do të arrijnë Kosova dhe Serbia? Sa e qëndrueshme dhe afatgjatë do të jetë? Në fund të vitit, si do ta përjetojnë në Kosovë dhe në Serbi?

Janë diskutuar dhe me sa duket ende vazhdojnë të diskutohen disa variante të zgjidhjes, ndër to, demarkacioni i kufirit me Serbinë, me ndryshime të kufirit actual, dhe dhënia e më shumë kompetencave asociacionit të komunave serbe dhe komunave me shumicë serbe, vecanërisht në veri.
A ka opsione të tjera? Cfarë përmbajnë ato, në cfarë drejtimi shkojnë? A garantojnë paqe midis Kosovës dhe Serbisë? A i vënë kufirin ekspansionit serb?

Lëvizja opozitare akuzon qeverinë aktuale dhe presidentin Hashim Thaci në vecanti, për përpjekje për ndarjen e Kosovës, duke përdorur shprehjen tashmë të njohur dhe të thënë për herë të parë nga Albin Kurti, me thika mbi hartën e Kosovës në tavolinë.

Por pavarësisht nga cfarë mendon dhe deklaron Vetëvendosje, dialogu po rifillon dhe pakkush mund të parashikojë fundin. Lëvizja nuk dëshiron të jetë pjesë e dialogut.

Vetëvendosje ishte kundër negociatave me Serbinë, kundër planit Ahtisaari, kundër Asociacionit të komunave serbe, kundër prekjes së kufijve, në fakt, kundër në të gjitha proceset negociuese që Kosovës i është dashur dhe i duhet ende të bëjë me Serbinë, nën kryesimin amerikan apo të BE-së. Motoja e Lëvizjes në kohën kur negociohej plani Ahtisaari, mbi bazën e të cilit u shpall pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte ishte “Jo negociata, Vetëvendosje”.

Një vit para shpalljes së pavarësisë, në vitin 2007, Vetëvendosje humbi dy aktivistë të saj në protestat ku u përball me policinë e Kombeve të Bashkuara.

Uniteti i klasës politike në dialog dhe përfaqësimi I të gjithëve në të, është domosdoshmëri, përfshi këtu Vetëvendosjen. Përndryshe, do të shkonim si dikur në kancelaritë evropiane, me 3 delegacione e më shumë, dhe përfundimi ishte copëtimi I trojeve shqiptare. Por a do të mundet klasa politike në Kosovë të bëhet bashkë, me një qëndrim të vetëm, o tani, o kurrë?! Pikëpyetja mbetet!

SHBA-të dhe BE duan t’i japin fund konfliktit të ngrirë Kosovë-Serbi dhe duket që arritja e një marrëveshjeje, do të jetë e pashmangshme. A do të binden udhëheqësit politikë ta nënshkruajnë atë, pavarësisht nga kompromiset që do tiu kërkohet të bëjnë?

Duket se ka ardhur koha të mbyllet edhe një konflikt i përgjakshëm, që i kushtoi Kosovës aq shumë dhembje, jetë njerëzish, shkatërrim, me shpresën që më në fund, mund të hapet një kapitull i ri, normaliteti dhe komunikimi njerëzor midis dy vendeve.