Ndryshime të rëndësishme parashikohen në Kodin e Procedurës Penale, duke prekur masat e sigurimit, hetimet, të drejtat e të pandehurit dhe publikimin e akteve hetimore.
Një nga ndryshimet lidhet me masën e arrestin në burg që sipas draftit nuk mund të vendoset për vepra penale që parashikojnë një dënim maksimal deri në 5 vite burgim, me përjashtim të rasteve kur personi ka shkelur masat e sigurimit të vendosura më parë në të njëjtin procedim. Arresti në burg nuk parashikohet gjithashtu për rastet kur gjykata vlerëson se dënimi përfundimtar nuk do të kalojë 3 vite burgim ose mund të konvertohet në shërbim prove.
Kufizime të tjera parashikohen për gratë shtatzëna, nënat me fëmijë deri në 6 vjeç, si dhe babain e një fëmije deri në këtë moshë kur nëna ka vdekur, përveç rasteve të krimeve të rënda.
Drafti forcon edhe kontrollin e gjykatës mbi masat e sigurimit. Gjykata duhet të japë një vendim të argumentuar dhe të bëjë një vlerësim të pavarur nga pretendimet e prokurorit. Ndërsa çdo muaj, prokurori duhet të informojë gjykatën për ecurinë e hetimeve dhe nëse masa e arrestit mbetet e nevojshme, e përshtatshme dhe proporcionale.
Një tjetër ndryshim lidhet me rolin e prokurorit, ai detyrohet të kryejë hetime edhe për faktet dhe rrethanat në favor të personit nën hetim apo të pandehurit, duke marrë në shqyrtim edhe elementet që dalin nga veprimtaria hetimore e mbrojtjes.
Gjithashtu prokurorit nuk i lejohet kryerja e veprimeve hetimore jashtë objektit të kallëzimit të regjistruar për veprën penale. Në rastet kur konstatohen elemente te nje vepre penale tjeter, prokurori duhet të ndjekë procedura strikte, duke regjistruar kryesisht një tjetër njoftim të veprës penale të re në regjistrin përkatës të këtyre njoftimeve.
Ndërkohë, forcohet edhe roli i mbrojtjes ku avokatët nga ana tjetër do të ketë të drejtën të hetojë veçmas, të marrë deklarime, të kërkojë dokumente, të kryejë verifikime teknike dhe të angazhojë ekspertë. Këto materiale i paraqiten gjyqtarit njëlloj të vlefshme me ato të prokurorisë.
Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe gjatë marrjes në pyetje. Mbrojtësi ka të drejtë të ndërhyjë për të garantuar të drejtën për të heshtur dhe për të mos u vetëinkriminuar, ndërsa marrjet në pyetje duhet, si rregull, të dokumentohen përmes regjistrimit audioviziv.
Drafti synon gjithashtu të shmangë hetimet e zgjatura përmes rregullave të reja për regjistrimin e procedimit penal. Prokurori duhet ta regjistrojë njoftimin për veprën penale dhe personin që mund t’i atribuohet ajo brenda afateve të përcaktuara në ligj.
Një kapitull i veçantë lidhet me publikimin e të dhënave të hetimit drafti parashikon kufizime për shpërndarjen dhe publikimin e akteve të procedimit penal dhe të të dhënave që mund të bëjnë publik faktin se një person është nën hetim. Shkelja e këtyre rregullave mund të sjellë përgjegjësi disiplinore, civile dhe, kur parashikohet nga ligji, edhe penale.


