Një këshilltare e Trump në Moskë, Fiona Hill takime me zyrtarët rusë

schedule23:51 - 18 Prill, 2019

schedule 23:51 - 18 Prill, 2019

Një këshilltare e presidentit amerikan Donald Trump ka vizituar në ditët e fundit Moskën, ku është takuar me zyrtarë rusë, mes të cilëve këshilltari i Kremlinit, Juri Ushakov. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, ndërsa është konfirmuar edhe nga burime pranë ambasadës amerikane në Moskë për agjencinë “Asoshiejtid Pres”. Sipas burimeve, Fiona Hill, drejtoreshë për Çështjet Europiane dhe Ruse në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA, ka biseduar me zyrtarët rusë lidhur me marrëdhëniet mes dy shteteve. Por në asnjë rrethanë nuk është biseduar për një takim mes presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin, ka saktësuar zëdhënësi i Kremlinit, Peskov. Ndërkohë, Peskov ka refuzuar të komentojë raportin e Robert Myler mbi ndërhyrjen ruse. “Nuk është diçka që na intereson ose na shkakton shqetësim”, ka thënë ai. /abcnews.al