Zhurma e provokuar nga disa zëra që në terma shkencorë nuk thonë asgjë, por bërtasin për prehistorinë e gjuhës shqipe dhe quajnë dogma pozicionet klasike të albanologëve, për shkrimtarin Ardian Vehbiu është një përpjekje për të mistifkuar dhe turbulluar ujërat, pasi këtyre njerëzve u mungon ekspertiza dhe nuk dinë ç’të thonë. Sipas Vehbiut një inxhinier nafte është e vështirë të shpjegojë prehistorinë e shqipes, apo lidhjen e saj me greqishten.
“Problemi është se unë i kam ndjekur pak këta dhe kam polemizuar. Këta thonë një gjë që në bazë është e drejtë që nuk mund të mbahemi mbas dogmave se shkenca përparon, duke iu kundërvënë dogmave dhe këta quajnë dogma pozicionet klasike të albanologëve nga Gustave Majer, Çabej e duke ardhur deri te Kolec Topalli. Deri këtu pranohet, nuk i merr si dogma. Nga ana tjetër po të shohësh përpjekjet e këtyre dhe gjërat që thonë, se ësëtë një fushë që kërkon ekspertizë t’i shikon që këtyre njerëzve u mungon ekspertiza dhe nuk dinë ç’të thonë. Një inxhinier nafte është vështirë të shpjegojë prehistorinë e shqipes apo lidhjen me greqishten, apo të thotë që mbas izraelitëve shqiptarët janë kombi i dytë mbi dhe, fillon e bie erë muhabeti. Po të shohësh listën e organizatorëve të Kuvendit që mbajtën, një pjesë e mirë nuk janë të fushës, janë inxhinierë, biologë, sikur kanë bërë një klub gjuetie dhe që këtej të dalësh në teza të guximshme është kapërcim shumë i madh. Ajo shkencë nuk është por as dije më, është përpjekje për të mistifikuar dhe turbulluar ujërat”.
Ky lloj sulmi ndaj gjuhëtarëve është i padenjë, thekson Vehbiu, pasi Albanologjia është një nga traditat dhe pasuritë që kemi, dhe këta nuk janë ekspertë të fushës.
“Problemi fillon kur dalin në demonstratë para bustit të Çabejt, atëherë dhe unë shqetësohem dhe them duhet të mbaj qëndrim apo kur fyejnë Kolec Topallin, njeri shumë punëtor i dha kulturës sonë fjalorin etimologjik të shqipes. Fjalor i Topallit është shumë i mirë, është një nga tradita e pakta që kemi, është Albanologjia, dhe ti sulmosh këta. E kuptoj t’ sulmojë një nga brenda, por ky lloj sulmi është i padenjë. Që të bësh sulme të tilla duhet të mendohesh mirë dhe patriotizmi nuk hyn fare aty, se patriotizmi është për t’i shërbyer kulturës, këta që bëjnë këtë gjë, ose janë të paditur se nuk dinë ç’bëjnë, ose janë hipookritë mashtrues”.
Vehbiu bën përgjegjës edhe akademinë dhe universitetin, pasi sipas tij duhet të luajë rolin ndërmjetësor për t’ua dhënë njerëzve këtë pasuri.
“Këtu ka përgjegjësi dhe akademia dhe universiteti, se aty ka njerëz që me pak përpjekje do të luanin rolin ndërmjetësuesit, nëpërmjet botimeve, emisioneve në TV, teksteve shkollore të ndërmjetësonin për t’ua dhënë njerëzve këtë pasuri, vëllimet e Çabejt janë një pasuri e paparë, nuk është vetëm te fjala është gjithë historia jonë, gjuha ka ruajtur gjithçka që ne kemi humbur. Aty e kupton ti se kush je, Çabej këtë e ka bërë në nivelin më ekspert që mundet, këtë tua sjellim e japim njerëzve. Si t’ia bëjmë që t’ua japim njerëzve këtë gjë”. /abcnews.al