Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen pritet të takohet në Uashington me Presidentin e SHBA Joe Biden, në mesin e spekulimeve se Shtëpia e Bardhë do ta përdorë këtë vizitë për ta projektuar atë si gruan e parë sekretare të përgjithshme të NATO-s.
Sipas diplomatëve, Frederiksen, 45 vjeç, është një pretendente serioze për të zëvendësuar Jens Stoltenberg, i cili pritet të dorëzojë në shtator dorëheqjen si shef i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Ajo rrëmbeu vëmendjen vitin e kaluar si mbështetëse e vendosur e Ukrainës në luftën e saj me Rusinë, duke fituar respekt për përpjekjet e bëra me qëllimin të forcohej uniteti perëndimor përballë këtij konflikti.
“Mund të kaloj një kohë të gjatë duke thënë gjëra të mira për Mette Frederiksen. Ajo është një nga krerët më të aftë të shteteve të Europës”, tha kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store, kur u pyet për Frederiksen si një kandidate potenciale për pozicionin e NATO-s.
“Ajo është shumë e respektuar në Europë për punën që ka bërë si kryeministre dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar,” shtoi ai.
Pengesa kryesore për kandidaturën e saj të mundshme është se Danimarka ka pasur prej kohësh një pengesë në shpenzimet e mbrojtjes dhe është nën presionin t`i rrisë shpenzimet ushtarake deri në 2% të PBB-së, një objektiv kyç për vendet anëtare të NATO-s.
Në dhjetor, megjithatë, Frederiksen dhe qeveria e saj e re e qerndrës e afruan me tre vjet planin për të përmbushur objektivin e NATO-s duke e vendosur në vitin 2030. Javën e kaluar, ajo njoftoi gjithashtu investime të mëdha për mbrojtjen gjatë 10 viteve të ardhshme dhe shtoi ndihmën ushtarake për Ukrainën.
/abcnews.al