Nga Sokol Balla – Memphis
Një parrullë e protestës ka bërë bujë në Itali: “Mos prisni të ulet numri me fillimin e Botërorit. Ne jemi tifozë të Italisë o budallenj!” Shtypi Italian u tërbua me zgjuarsinë shqiptare. Të përditshmes Corriere dello Sport iu deshën disa paragrafë që të shpjegonin se lidhej me “shpresën” e )fillimin e Kupës së Botës. “U bëmë gazi i botës dhe deri i Shqipërisë, shqiptarët tallen me eleminimin tonë”, ishte morali i shkrimit. Në fakt të dielën në orën 19 u panë më pak njerëz se zakonisht. Pikërisht në atë orë në Houston luante Gjermania. A thua ata që kishin dalë të dielën, ishin vetëm tifozët e Italisë? A thua shumica e protestuesve janë “tifozë” të Gjermanisë? Ky po, do ishte lajm i keq për projektin e Zvërnecit, por edhe për Edi Ramën, një tifoz i njohur i Italisë. A është Italia mjaft, për të kapërcyer Gjermaninë? Në futboll po.
Në bulevard, nuk jam i sigurt.
Në Stadiumin e Houston, mbizotërojnë bluzat e Panzerave. Veç gjermanëve, ndonjë shqiptari të çartur si puna ime, bluzat e Gjermanisë i veshin latinët, kryesisht meksikanët. Njëri prej tyre, me bluzën e Musialës, bërtet me hare kur Curacao shënon golin e barazimit. (Fiks në momentin kur Malësorja shpalli divorcin me PS).
Ndruaj t’i pyes: përplasjet mes dy ekipeve në Botërorë janë shumë. 40 vjet më parë Gjermania i eleminoi në Azteca me penallti në çerekfinale. Tetë vjet më parë në Rusi, vetëm një mrekulli e Toni Kroos në sekondë të fundit, shpëtoi gjermanët nga humbja (ajo goditje dënimi, vlerësohet gjerësisht si më e bukura e Botërorëve, me një harkim perfekt të topit, në portën e Ochoas). Me gjermanët kështu është, duhet të ruhesh deri në sekondën e fundit. Në Houston të dielën, Curaçao provoi dhe një herë shifrat 7 me 1, një humbje e ngjashme si e Brazilit në Belo Horizonte 12 vjet më parë. Shumë brazilianë pranojnë se sot, ajo vlerësohet si disfatë më e madhe se ajo në Maracana përballë Uruguajit në 1950. Kjo sepse brazilianët që mbajnë mend disfatën e Belo Horizonte, janë shumë më tepër se të vjetrit. Brezat ndryshojnë dhe normalisht harrojnë.
Harrojmë për shembull se ku ishim para 15 vjetëve, si vend dhe si kombëtare. Dikur vrisnin protestues në bulevard, sot kryeministri “qëllon” me batutat. Dikur mezi fitonim në fushën tonë. Por më pas erdhi kualifikimi i parë në Europian, pastaj i dyti. Pastaj playoff për Botërorin.. Harrojmë shpejt ku ishim dhe më vjen plasja që nuk jemi as sa Curaçao. Jam mes tifozëve të tyre. Ata flasin një gjuhë të çuditshme mes kreoles dhe gjuhës holandeze, si çdo ishull në Karaibe. Curaçao i përket grupit të Indive Holandeze, bashkë me Arubën. Aruba është më “popullore” këto kohë në Shqipëri. Mesa duket aty ishin bërë pazare të forta mes grupeve të drogës dhe pastruesve të tyre në Tiranë. Por jo, nuk është ky lajmi më i madh në Tiranë. Bile nuk është as Botërori.
Janë flamingot.
Ata që nuk i duan, i numërojnë. Si kapterri gjerman te “Dimri i fundit”, numëron gratë që çojnë ushqime mes borës, për te partizanët. Ata që i duan, i shtojnë. Ndoshta e kanë nga dashuria. Ata që nuk duan Ramën, tentojnë t’i përdorin. Dikush me maska, dikush me qeleshe. Dikush nga burgu, dikush nga Berlini. Një ditë më herët, isha për një vizitë e shkurtër në Memfis, thellë në Tennessee, në jugun amerikan, ku lindi lëvizja e të drejtave për zezakët, në zemrën e skllavërisë së dikurshme dhe segregimit që e pasoi. Në vitet 60, edhe aty plasën “flamingot”. Presidenti nuk ishte republican. Quhej John Kennedy dhe ishte një nga njerëzit më mendjehapur të kohës së vet. Por situata ishte e komplikuar. Ishte viti I krizës së Raketave ruse në Kubë. Bota mezi I shpëtoi Luftës së Tretë Botërore. Por Moska nuk tërhiqej. Shtypi në Berlinin perëndimor të rrethuar nga të kuqtë, nxori fakte sesi Moska qëndronte pas lëvizjes së zezakëve për të drejtat e njeriut. Me njerëz, me fonde, me propagandë. MesazhI ishte I qartë: “Nëse qeveria amerikane shkel të drejtat e njeriut Brenda Amerikës, e si mund të na tregojë ajo të drejtat e njeriut jashtë saj”? Kennedy gjendej mes zjarrit dhe breshërit. A duhet të ndërhynte ushtria për të penguar Marshimin e Gjatë nga Jugu I thellë, deri në Uashington? Në fund ushtria ndërhyri, por lejoi marshimin. Një marshim që kishte kërkesë të qartë: barazinë mes racave. Por edhe sepse në krye kishte një lider të qartë. I cili kishte edhe një plan të qartë: “I have a dream”.
Ai quhej Martin Luther King.
E provoi këtë me vdekjen e tij. E vranë në ballkonin e dhomës 306 në Lorraine Motel. Sot ai motel në periferinë e e Memphis, është shndërruar në Muzeun e të Drejtave Civile dhe shumica e vizitorëve janë amerikanë të bardhë. Ata respektojnë heshtjen kur ecin në hapat e fundit të Martin Luther King. Ata respektojnë ëndrrën e tij. Që nuk ishte për të shkatërruar Amerikën, por për ta bërë atë, atdheun e të gjithëve: të bardhëve, zezakëve apo aziatikëve.
Sot shumë vetë mendojnë që e sotmja nuk është më Amerika e Martin Luther King. Se sot president është një republican, që I bëri vetes dhuratë për 80 vjetor, paqen e një lufte që e nisi vetë. Por ëndrrat nuk kanë moshë. Ato i rezistojnë harresës së brezave. Ndaj Martin Luter King dhe ëndrra e tij respektohen e ndiqen edhe sot. Shoferi i taksisë që më kthen në aeroport, një i bardhë 65 vjeçar, ish veteran lufte, është i tërbuar me Trump. Për teprimet e tij, përfshirë dhe luftën e Iranit. Nuk e pranon, por nga frustrimi duket që ka qënë votues i tij. I them se ndoshta tani demokratët mund të nxjerrin një figurë të moderuar të qendrës. I sugjeroj emrin e Gavin Newsom, guvernatorit të Kalifornisë. “Kurrë”, bërtet John. “Nuk votojnë amerikanët një kalifornian. Kjo frymë liberale nga Kalifornia dhe Neë York, shkatërroi Amerikën”.
Në fakt një kalifornian shpëtoi Amerikën dhe gjithë Botën në vitet 80. Ai quhej Ronald Reagan. Por edhe ai kishte ëndrrën e tij. Endrrat janë të rëndësishme. Zgjasin pak sekonda, por ngelen gjatë ne memorien e një brezi.
Ndërsa pres në radhë për të blerë një souvenir nga ndeshja, shoh një nga bluzat. Nuk i besoj syve megjithësei fërkoj fort. Në stampën e saj, mbi gërmat “World Cup 2026”, noton një flamingo i madh rozë. (Eshtë foto që shoqëron këtë shkrim). Qenka e thënë të jetë viti i Botërorit dhe i flamingove. A thua është shenjë se Gjermania do të fitojë? Që mos më keqkuptojë Jorida: Dua shumë që Gjermania të fitojë Botërorin.
Për të tjerat… dua të mos humbë Shqipëria.
Një sms: Më shkruajnë se policia ka ndaluar disa protestues të bllokojnë Rinasin, por marshimi ka vazhduar rrugën e kthimit. Pesë orë të tjera drejt Tiranës. Shpresoj të gjejnë rrugës Martin Luter Kingun e tyre. Vetëm kështu do arrijnë të ruajnë ëndrrën, të pacënuar nga maskat e Kamzës dhe qeleshet patriotike.
Memphis, 14 qershor 2026



