Një fluturim i kompanisë Flydubai me 174 pasagjerë në bord, nga Dubai drejt Tel Avivit, u detyrua të kryente një ulje emergjente në Arabinë Saudite, pasi, sipas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarëve izraelitë, bashkëpiloti dyshohet se sulmoi me thikë kolegun e tij dhe tentoi të merrte kontrollin e avionit për ta rrëzuar, në atë që autoritetet izraelite thonë se ishte një tentativë për sulm terrorist.
Ngjarja ndodhi në bordin e fluturimit FZ1073, i cili po udhëtonte drejt Izraelit ku shumica prej pasagjerëve ishin shtetas izraelitë. Avioni, një Boeing 737 MAX, përfundoi duke u ulur në aeroportin e Tabukut, në veriperëndim të Arabisë Saudite. Kompania Flydubai konfirmoi se avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe se të gjithë pasagjerët janë jashtë rrezikut. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi gjendjen e pilotit që mbeti i plagosur, ndërsa autoritetet e Arabisë Saudite raportohet se kanë arrestuar pilotin që sulmoi kolegun e tij, i cili, sipas asaj që shkruan CNN, është një shtetas i Omanit, deklaratë që e bëri dhe kryeministri izraelit Netanyahu. Pas uljes në Arabinë Saudite, nëna e një shtetasje izraelite, vajza e të cilës ishte pjesë e fluturimit, tregoi tmerrin që kishin përjetuar pasi e bija i kishte treguar pamje dhe video të ulërimave që vinin nga kabina e pilotëve. Pasi kishin hapur kabinën, kishin parë gjak.
Aeroplani filloi të humbiste kontrollin. Kështu që të gjithë njerëzit filluan të bërtisnin, mendonin se avioni po rrëzohej. Pas disa minutash, dy pilotë të tjerë morën kontrollin. Disa izraelitë ikën me vrap drejt atij djali. Ai mori një thikë dhe u përpoq ta vriste pilotin. Ata e neutralizuan atë dhe e vunë në dysheme. Kishte një trup të mbuluar me gjak. Ishte një çmenduri.
Pas uljes emergjente në Arabinë Saudite, pasagjerët u morën nga një tjetër aeroplan i Flydubai për të udhëtuar drejt Izraelit, pasi Arabia Saudite refuzoi kërkesën e Tel Avivit zyrtar që kërkoi të dërgonte aeroplan ushtarak për të marrë shtetasit e tyre. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë, ndërsa kryeministri izraelit, por edhe politikanë të tjerë të vendit, kanë deklaruar se ajo çfarë ndodhi ishte një tentativë për sulm terrorist.


