Nismë e re politike, Franca kërkon emigrantë për punë

schedule15:18 - 6 Nëntor, 2019

schedule 15:18 - 6 Nëntor, 2019

Franca ka njoftuar se për emigrantët do të merret një nismë e re politike. Për herë të parë emingrantët e huaj njoftohen që të aplikojnë në vendet bosh si sektorë ndërtimi, hoteleria, informatika dhe inxhinieria. Por njëkohësisht qeveria pritet të ashpërsojë masat për azilkërkuesit dhe aksesin e tyre në shendetësi.

Franca synon që nga viti i ardhshëm të vendosë kuota për emigrantët që kërkojnë të punojnë në vend.

Me këtë plan qeveria synon të identifikojë sektorët ekonomikë në të cilën mungojnë kandidatët e kualifikuar, njëkohësisht të krijojë edhe procedura lehtësuese për profesionistët. Ndërkaq pritet të ashpërsohen politikat për azilantët dhe ata që shfrytëzojnë sistemin shëndetësor gjatë qëndrimit të shkurtër në vend.

“Duam që në Francë të marrim forca pune vetëm atje ku nevojitet. Kjo është qasje e re që zbatohet edhe në Kanada dhe Australi,” tha Ministrja e Punës, Myriel Peniko.

Disa nga sektorët me staf të pamjaftueshëm janë ndërtimi, hoteleria dhe restorantet, ku pagesa për qytetarët vendës konsiderohet e ulët, por edhe fusha si tregtia, informatika dhe inxhinieria.

Me udhëzim të presidentit Emanuel Makro, qeveria planifikon që azilkërkuesve t’u kufizohet deri në tre muaj aksesi spitalor që ofrohet falas pas aplikimit.

Nisma synon të shmangë rritjen e popullaritetit të ekstremistëve të Marin lë Pen, e cila e kundërshton numrin e pandalshëm të azilkërkuesve në vend, që një vit më parë u rrit me 122 mijë apo 22 për qind.

Vitin e kaluar, në Francë u lëshuan rreth 33 mijë viza pune./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!