Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka reaguar për nismën e PS për të sjellë ndryshime në Kushtetutë në rast ndërhyrjeje të presidentit Meta në Reformën në Drejtësi.
Duke iu referuar Taulant Ballës, Blushi shprehet se “Kjo është një ide gjeniale për të përshpejtuar Ramaformën dhe instaluar Drejtësinë e Re të betimeve buzë Lanës, të pastër e të kulluar si vetë uji i Lanës”.
Më tej Blushi shprehet me ironi se në ditën e “inaugurimit” të ndryshimeve kushtetuese do të marrë pjesë edhe presidenti.
Reagimi i plotë:
Të dashur kolegë gazetarë!
Ju kërkoj ndjesë për reagimin e vonuar pas insistimit tuaj për një koment lidhur me sihariqin që i ka dhënë mbrëmë Tao Tao mbarë vendit tonë, se Parlamenti jokushtetues, paska vendosur që t’i rrëmbejë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, të vetmit institucion plotësisht legjitim e demokratik në vend.
Kjo është një ide gjeniale për të përshpejtuar Ramaformën dhe instaluar Drejtësinë e Re të betimeve buzë Lanës, të pastër e të kulluar si vetë uji i Lanës.
Po Presidenti çdo bëjë më pyesni ju? Si mund të mos marrë pjesë në inaugurimin e LanaKushtetutës nga gjysmëparlamenti i oligarkëve, bandave dhe ambasadorëve të gishtit!
Sigurisht që atë ditë Presidenti do të jetë vetë atje, i pari, me të gjithë popullin shqiptar!/abcnews.al