Tirana është një nga skuadrat e goditura më rëndë nga dëmtimet gjatë javëve të fundit. Të mërkurën kampionët luajnë ndaj Kukësit dhe situata me mungesat është më keq se kurrë gjatë muajve të fundit te bardheblutë. Elton Cale nuk mund të llogaritet në skuadër të paktën deri në muajin shkurt për shkak se është operuar në shpatull prej një problemi të trashëguar nga sezoni i shkuar.
Jurgen Çelhaka është tjetër mungesë e madhe. Mesfushori vazhdon të jetë në infermieri prej javësh për një problem muskulor dhe ende nuk dihet qartë se kur do kthehet. Cristian Toshevski nuk është ende i gatshëm dhe mbrojtësi, ashtu si të lartpërmendurit do të jetë jashtë listës së ndeshjes së të mërkurës.
Dyshja Agustin Torasa dhe Idi Batha janë jashtë për katër ndeshjet e radhës për shkak të problemeve disiplinore të shfaqura në miqësoren ndaj Laçit. Si të mos mjaftonin këto, probleme dje ka pasur edhe për dy titullarë të tjerë bardheblu. Ismajlgeci nuk luajti më shumë se 30 minuta dje për shkak të dhimbjeve muskulore, ndërsa edhe Vangjeli ka shfaqur probleme dhe është në dyshim të madh për prezencën ndaj verilindorëve.
Bashkë bëhen shtatë titullarë, të cilët pritet të mungojnë dhe Egbo do duhet të bëjë shumë modifikime. Praktikisht të ndërtojë një 11-she të re shartuese, shumë të ndryshme nga ajo standarde, që tashmë të gjithë e dimë. /abcnews.al