Nisin punimet për maternitetin e Beratit

schedule12:15 - 11 Qershor, 2019

schedule 12:15 - 11 Qershor, 2019

Qarku i Beratit do të ketë maternitet të ri dhe me kushte moderne që do t’iu shërbejë rreth 120 mijë banorëve. Lajmin e bëri të ditur ministrja Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se në focus të qeverisë është rijetëzimi I të gjithë materniteteve të vendit.

Falë një investimi prej 214 milionë lekësh, qarku I Beratit do të ketë shumë shpejt maternitetin e ri. Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu teksa inspektoi nisjen e punimeve.

“Vijmë në Berat me një premtim të mbajtur të qeverisë, një kërkesë e vazhdueshme e këtij komuniteti, për ndërtimin e maternitetit. Do të jetë një maternitet bashkëkohor brenda korpusit spitalor, me kapacitet 40 shtretër, që pritet të përfundojë brenda 20 muajsh”.

Manastirliu deklaroi se pas ndërtimit të dy materniteteve të reja në Korçë dhe Sarandë, investimet për rijetësimin e materniteteve do të vijojnë në të gjithë vendin.

 “Me fokus te shëndeti i nënës dhe fëmijës, vijojmë transformimin e materniteteve, jo vetëm në Berat, por kemi nisur punën për ndërtimin e maternitetit të Kukësit dhe së shpejti, maternitetit të ri të Lezhës”.

Projekti i maternitetit të ri të Beratit parashikon rehabilitimin e godinës një katëshe, ku aktualisht ushtron aktivitetin materniteti, si dhe zgjerimin e tij me ndërtimin e një kati shtesë, duke iu shërbyer 120 mijë banorëve të këtij qarku. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!