Ka nisur zyrtarisht ndërtimi i linjës së interkonjeksionit 400 kV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, një projekt i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe rritjen e sigurisë energjetike. Në ceremoninë e zhvilluar në Maqedoninë e Veriut, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e cilësoi këtë investim si një hap strategjik që shkon përtej një projekti të thjeshtë infrastrukture.
Sipas tij, linja 400 kV Elbasan–Bitola përbën një hallkë kyçe të Korridorit energjetik Lindje–Perëndim dhe synon të lidhë drejtpërdrejt sistemet energjetike të dy vendeve, duke rritur sigurinë e furnizimit dhe duke përshpejtuar integrimin në tregun europian të energjisë.
Karakaçi theksoi se Shqipëria po kalon në një fazë të re zhvillimi energjetik, duke u transformuar nga një sistem i mbështetur kryesisht në energjinë hidrike në një model të diversifikuar, me fokus tek burimet e rinovueshme. Ai bëri të ditur se vendi disponon mbi 2.5 GW kapacitete hidrike dhe pret që projektet në energjinë diellore dhe të erës të tejkalojnë 3 GW në dekadën e ardhshme.
Ministri nënvizoi se ndërtimi i rrjeteve të transmetimit dhe ndërlidhjet ndërkufitare janë thelbësore për këtë transformim, duke e konsideruar projektin Shqipëri–Maqedoni e Veriut si pjesë të një vizioni më të gjerë rajonal, që përfshin edhe lidhjet me Greqinë dhe Italinë.
Ai shtoi se punimet në territorin shqiptar për këtë linjë kanë arritur në rreth 80%, ndërsa projekti pritet të shërbejë si një urë energjetike mes vendeve të Ballkanit dhe tregjeve të Europës Perëndimore.
Sipas Karakaçit, investimet në interkonjeksione do të ndihmojnë jo vetëm në rritjen e sigurisë dhe fleksibilitetit të sistemit energjetik, por edhe në pozicionimin e Shqipërisë si një vend tranzit për energjinë e gjelbër në rajon.
Fjala e plotë e ministrit:
Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem sot këtu, në këtë moment shumë të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal dhe për të ardhmen energjetike të dy vendeve tona. Nisja e punimeve për linjën 400 kV ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk është thjesht një projekt infrastrukture, por është qartësisht një investim për sigurinë, zhvillimin dhe integrimin tonë të përbashkët europian.
Shqipëria tashmë ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit energjetik, ku rritja e sigurisë energjetike, përmes diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, bazuar në një strategji të mirëstudiuar, po jep rezultate të rëndësishme.
Nga një sistem tradicionalisht i mbështetur në energjinë hidrike, sot po transformohemi në një sistem modern, të diversifikuar dhe të orientuar drejt burimeve të rinovueshme. Me mbi 2.5 GW kapacitete ekzistuese hidrike dhe me projekte të reja në energjinë diellore dhe të erës që pritet të tejkalojnë 3 GW në dekadën e ardhshme, vendi ynë po shndërrohet në një aktor të rëndësishëm në hartën energjetike të rajonit.
Por sigurisht ky transformim nuk mund të realizohet pa një rrjet transmetimi të zhvilluar dhe pa ndërlidhje të forta ndërkufitare. Pikërisht këtu qëndron rëndësia strategjike e projekteve të interkonjeksionit që ne po zbatojmë dhe planifikojmë.
Projekti i linjës 400 kV Elbasan-Bitola, është një nga hallkat më të rëndësishme të Korridorit energjetik Lindje-Perëndim, pjesë e rëndësishme e Korridorit VIII. Ai përmbyll një boshllëk historik në rrjetin rajonal dhe krijon një lidhje të drejtpërdrejtë midis sistemeve tona energjetike, duke rritur ndjeshëm sigurinë e furnizimit për të dy palët dhe duke shërbyer si një instrument i cili garanton angazhimet e të dy shteteve për integrimin rajonal dhe europian të tregjeve tona, krahas integrimit politik në Bashkimin Europian.
Kjo linjë nuk është vetëm një projekt bilateral. Ajo është pjesë e një vizioni më të gjerë, Korridorit VIII energjetik, që lidh Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe më tej Italinë. Përmes këtij korridori, ne po ndërtojmë një urë të re energjetike mes Lindjes dhe Perëndimit të Europës.
Duke e vlerësuar maksimalisht këtë projekt, ne jemi investuar intensivisht në pjesën e linjës që kalon përmes Shqipërisë dhe me krenari, por jo për të bërë konkurrencë, se nuk do të ishte vendi, mund të them se kemi arritur në 80% të punimeve për ndërtimin e linjës në territorin shqiptar.
Ndërkohë paralelisht me këtë projekt, Shqipëria po avancon edhe në iniciativa të tjera strategjike.
Linja e re 400 kV me Greqinë, aktualisht në fazë studimore dhe e mbështetur nga Bashkimi Evropian, do të rrisë kapacitetet ndërkufitare dhe do të mbështesë integrimin e burimeve të rinovueshme në shkallë të gjerë.
Një tjetër projekt me rëndësi strategjike të jashtëzakonshme është interkonjeksioni nënujor Shqipëri-Itali, i cili synon të krijojë një dalje të drejtpërdrejtë drejt një prej tregjeve më të mëdha të vendeve të Bashkimit Europian. Ky projekt do të jetë kyç për të shmangur humbjen e energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme dhe për të maksimizuar vlerën ekonomike të saj.
Nëpërmjet këtyre investimeve, Shqipëria nuk po ndërton vetëm linja transmetimi, ne po ndërtojmë një sistem energjetik më fleksibël, më të sigurt, më të integruar dhe plotësisht në përputhje me standardet europiane.
Në të njëjtën kohë, po forcojmë rolin tonë si një vend tranzit për energjinë e gjelbër të rajonit. Flukset e reja energjetike që do të kalojnë përmes territorit tonë do të lidhin prodhimin në Ballkanin Lindor me tregjet e Europës Perëndimore, duke krijuar kështu një mundësi të re zhvillimi për të gjithë rajonin.
Të nderuar pjesëmarrës,
Ky projekt është një dëshmi e qartë se bashkëpunimi rajonal funksionon. Ai është rezultat i një partneriteti midis vendeve tona, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe partnerëve teknikë, të cilët kanë besuar në vizionin e përbashkët të dy vendeve tona.
Projekte të tjera të rëndësishme, jo vetëm në energji, por edhe në infrastrukturën rrugore, apo atë hekurudhore kanë nevojë për bashkëpunimin tonë dy palësh, për të ecur me ritme sa më të shpejta.
Qeveria Shqiptare ka qenë dhe do të mbetet e hapur dhe e gatshme për të forcuar dhe thelluar bashkëpunimin, në interes reciprok.
Le të vazhdojmë këtë rrugë, me angazhim të shtuar për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme, më të sigurt dhe më të begatë për të gjithë qytetarët.


