Nisin bisedimet për formimin e qeverisë së re, Isa Mustafa takohet me Ramush Haradinaj

schedule15:43 - 22 Prill, 2020

schedule 15:43 - 22 Prill, 2020

Në kuadër të përpjekjeve për formimin e koalicionit të qeverisë së ardhshme në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë filluar takimet.

Liderët e të dy partive, Isa Mustafa i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-ë kanë zhvilluar një takim në të cilin, kanë diskutuar vetëm për lidhjen e koalicionit, por jo edhe për ndarjen e pozitave.

Gjatë një konference për mediat Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka theksuar se takimi kishte si qëllim trajtimin e çështjes së koalicionit. Por, ai tha se fillimisht pritet vendimi i presidentit Hashim Thaçi në lidhje me mandatin kushtetues që duhet t’ia ofrojë eventualisht, LDK-së për formimin e qeverisë.

Ndërkohë nga ana tjetër presidenti Thaçi ka dërguar një letër të pestë kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ka paralajmëruar se këtë javë do të ndërmerr veprime konkrete për formimin e qeverisë së re. Këto veprime, Thaçi pritet t’i ndërmerr si rezultat i votimit në Kuvend të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës më 25 mars.

Thaçi i ka kërkuar disa herë partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje që ta caktojë mandatarin për formimin e qeverisë, por Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti ende nuk e kanë nominuar mandatarin.

Nisur nga ky mosveprim i Vetëvendosjes, partia e dytë në zgjedhje, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur gatishmërinë që ta formojë qeverinë pa Vetëvendosjen. Pjesë e qeverisë që do të drejtohej nga LDK-ja, nuk do të jetë as Partia Demokratike e Kosovës. Kështu të paktën ka deklaruar lideri i saj, Kadri Veseli./abcnews.al