Këtë të hënë ka nisur viti i ri akademik. Studentët i janë drejtuar auditorëve të universiteteve. Me anë të një videomesazhi në Facebook, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, ka uruar të gjithë studentët.
Ajo ka kërkuar që të mbahet hapur komunikimi për të përmirësuar cilësinë e arsimit të lartë në vend. Gjithashtu ministrja tha se do të vazhdohet për përgjysmimin e tarifave, dhënien e bursave dhe investimet në konvikte.
“Të dashur studentë sot fillon viti i ri akademik dhe ne kemi kaluar të gjithë muajt e verës për të realizuar Paktin për Universitetin. Do vazhdojmë me përgjysmimin e tarifave për të gjithë studentët e ciklit të parë dhe të integruar. Do vijojmë me dhënien e bursave për studentët ekselentë dhe kategoritë në nevojë. Kemi investuar në konviktet në të gjithë Shqipërinë. Mos harroni ta përdorni bibliotekën dixhitale për të realizuar studimet tuaja. Na shkruani për çdo gjë nëse keni pyetje, shqetësime të ndryshme, ta mbajmë komunikimin e hapur t’i mbledhim të gjitha energjitë sëbashku që ta çojmë përpara Paktin për Universitetin dhe të për mirësojmë cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri”, u shpreh Shahini.
/abcnews.al