Nis rikonstruksioni i godinës nr. 24 në Qytetin Studenti

schedule15:17 - 1 Prill, 2019

schedule 15:17 - 1 Prill, 2019

Kryebashkiaku Erion Veliaj thotë se qeveria dhe bashkia mbajtën premtimin që i dhanë studentëve dhe rikonstruktuan 11 konvikte. Veliaj inspektoi punimet që po kryhen në godinën numër 24 në Qytetin Studenti.

Godina numër 24 në Qytetin Studenti ka nisur të ndryshoje pamje. Punimet kanë nisur në mjediset e përbashkëta. Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, siguori se gjatë verës do të vijojë rehabilitimi i dhomave të studentëve.

“Tani që bëjmë bilancin dhe kriza ka kaluar, e që po numërojmë konviktin e 11-të që po rikonstruktohet, duket kollaj, por nuk do të ishim këtu nëse nuk do ishte dashamirësia, bujaria dhe solidariteti i të gjitha kompanive. Besoj që me lirimin e konvikteve gjatë pushimeve të verës, do kemi mundësi ideale për të ndërhyrë nëpër dhoma dhe për mobilimin e tyre. U jam sot shumë mirënjohës studentëve që respektuan pjesën e tyre të Paktit me Universitetin: Ne morëm përsipër detyrimet tona, ata morën përsipër detyrimet e tyre. Ftesa për studentët është të mbajmë paktin siç e kemi nisur, e siç po shohim, të paktën në Tiranë premtimi po mbahet, çdo javë nga një konvikt”.

Ndërkohë Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do të marrë përsipër të prodhoje vetë kartën e studentit, e cila do të garantojë një sërë shërbimesh falas ose me tarifa të reduktuara për të rinjtë.

“Ligji e kërkon që secili universitet të prodhojë kartën e vet; megjithatë, duke qenë se universitetet ose ata që i administrojnë ato, pra rektorët e dekanët, nuk kanë qenë të aftë ta bëjnë, ne do jemi bashkia e parë e cila do të prodhojë kartën e studentëve, duke qenë se tashmë 40 shërbime i kemi me kosto më të ulët. Do të bëjmë një prezantim dhe besoj që me mbajtjen e fjalës për kartën, me mbajtjen e fjalës për konviktet, i kemi dhënë sot një përgjigje pozitive të gjithë marrëveshjes dhe Paktit të Universitetit me studentët”.

Kjo godinë ka 88 dhoma dhe numri i studentëve që banojnë aktualisht është 248./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!