Do të vijojmë ritmin e modernizimit të Tiranës me Teatrin e ri dhe Piramidën deklaroi kryetari i bashkisë, Erion Veliaj. Kryebashkiaku deklaratën e bëri pasi inspektoi punimet për rehabilitimin e Unazës së Mesme në kryeqytet.
Bashkia e Tiranës ka nisur projektin për rehabilitimin e Unazës së Mesme, me qëllim përmirësimin e sistemit të qarkullimit për automjetet dhe shtimin e korsive për biçikleta.
Gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen pranë njësise administrative numër 7 në kryeqytet kryebashkiaku, Erion Veliaj u shpreh se Tirana do të vazhdojë me këtë ritëm të modernizimit edhe për Teatrin e ri Kombëtar dhe Piramidën.
“E patëm një alternativë që s’prekte gjë me dorë dhe flinte gjumë. E kishim katër vjet dhe e dimë si përfundoi. Jam shumë i bindur se Tirana do të vazhdojë ritmin e modernizimit. Siç kishim debat për Parkun e Liqenit, ja ku është sot; siç kishim debat për Pazarin e Ri, ja ku është sot; siç kishim debat për sheshin “Skënderbej”, ja çmimet që po merr sot; siç kishim debat për Bulevardin e Ri, ja aksi i hapur për Tiranën e 50 viteve në vazhdim. Ashtu do të kemi edhe një Teatër të ri, do të kemi një Piramidë të re. Vënia dorë në qytet sjell progres, ndryshim, modernizim dhe prosperitet për Tiranën”.
Kryetari i bashkisë theksoi se kur të gjithë bashkëpunojnë dhe nuk pengojnë njëri-tjetrin duke humbur kohë, gjërat ecin përpara.
“Fakti se edhe në vendin tonë me ekonomi modeste, arrijmë ta ngrejmë reputacionin e qytetit, do të thotë se gjërat i kemi vetë në dorë; kur bashkëpunojmë ecim përpara, kur pengojmë njëri-tjetrin, sigurisht që humbasim kohë të çmuar. Unë jam i bindur se Tirana nuk ka më kohë për të humbur, ndaj do të vazhdoj me modernizimin e qytetit”.
Lidhur me projektin për rehabilitimin e Unazës së Mesme të qytetit, Veliaj shpjegoi se duke filluar nga zona e “Brrylit” te Ministria e Jashtme e deri te “Vasil Shanto”, pjesa e korsisë së lumit të Lanës do të jetë e dedikuar për biçikleta, ndërsa pjesa tjetër për transportin publik dhe makinat private. Autobusat do të kenë korsi të dedikuar në ato pjesë të Unazës, ku zakonisht ka edhe trafikun më të madh ose ka edhe më shumë semaforë./abcnews.al