Në segmentin Librazhd–Pogradec, punimet kanë avancuar. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës” kanë përfunduar punimet për devijimin e lumit. Pas këtij procesi do të nisin punimet për trupin e rrugës alternative, pas përfundimit të rishikimit të projektit në këtë zonë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se punimet vijojnë edhe gjatë natës për pastrimin e sipërfaqes së trupit të rrugës së rrëshqitur, për marrjen e kampionëve gjeologjikë. Punimet po kryhen me mjete dhe personel të shtuar, duke respektuar të gjitha standardet teknike dhe të sigurisë rrugore, për të rikthyer qarkullimin sa më shpejt.
Pas dëmtimit të segmentit rrugor Librazhd–Prrenjas, për shkak të rrëshqitjes së dheut, Autoriteti Rrugor do të ndërtojë një segment të ri me një gjatësi 1.3 km përgjatë lumit Shkumbin. Autoritetet nuk dhanë një afat se kur ky segment i ri i rrugës do të përfundojë; ndërkohë, aksi i vetëm juglindor i vendit mbetet i bllokuar. Rrëshqitja e segmentit rrugor shpjegohet me faktin se zona është ujmbajtëse dhe e paqëndrueshme. Drejtuesve të mjeteve të vogla u bëhet thirrje të përdorin rrugën alternative Maliq–Lozhan–Moglic–Gramsh–Elbasan, deri në stabilizimin e plotë të situatës.


