Skulptori Agim Rada ka nisur punën për realizimin e një statuje të heroit tonë kombëtar që do të vendoset në qendër të Budapestit, sipas një marreveshjeje me bashkinë e kryeqytetit hungarez. Kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, tha se kjo do të jetë një simbol i miqësisë mes dy vendeve.
Një statujë e heroit tonë kombëtar, Gjergji Kastrioti Skënderbeu do të vendoset në parkun qendror të Budapestit, përballë statujës së heroit të Hungarisë, Janosh Huniadit, në shenjë nderimi dhe kujtimi për miqësinë që heroi ynë ka pasur me Huniadin, por edhe për miqësinë që vijon mes dy popujve. Me nismën e Bashkisë së Tiranës, në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit, skulptori Agim Rada ka nisur punën për realizimin e monumentit të Skëndërbeut.
“Është një mënyrë se si mbajmë një premtim ndaj miqve tanë, për të promovuar këtë miqësi të lashtë midis Skënderbeut dhe Janosh Huniadi. Bashkia e Budapestit ka përcaktuar vendin dhe presin nga pala jonë që t’u çojmë një bust. Nuk mund të mendoja një skuadër më të mirë se sa Agim Rada dhe duarartët e tij, që të realizonin këtë vepër dhe besoj se në pranverë do jemi gati për ta çuar në Budapest, për të mbajtur fjalën, por sigurisht edhe për të çuar në fund një amanet nga të parët tanë, për të përkujtuar këtë lidhje dhe aleancë shumëvjeçare”, tha Veliaj.
Skuptori Agim Rada premtoi se do ta mbarojë në kohë veprën, ndërsa u shpreh se busti që do të realizohet do të mbështetet mbi statujën e realizuar më parë nga Odhise Paskali. Veliaj u bëri thirrje gjithashtu skulptorëve dhe arkitektëve të tjerë që bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës për të zbukuruar qytetin me veprat e tyre./abcnews.al