Jose Mourinho do të nisë punën si trajner i Romës muajin e ardhshëm, aventurë që po e pret me padurim. Trajneri i ri i ekipit kryeqytetas po merret edhe me merkaton, duke tentuar të bindë lojtarë të ndryshëm t’i bashkohen te verdhekuqtë.
Granit Xhaka dhe portieri Rui Patricio do të jenë dy përforcimet e para të klubit kryeqytetas, ndërsa “Special One” po tenton goditjen e madhe. Mediat italiane shkruajnë se Mourinho synon të transferojë Sergio Ramos në Serie A.
Kapiteni nuk po rinovon me Real Madrid dhe më 30 qershor del lojtar i lirë. Shumë klube janë gati t’i plotësojnë çdo dëshirë, mes tyre edhe Roma. “Special One” e ka kontaktuar personalisht mbrojtësin andaluzian, duke e ftuar të zgjedhë Romën.
Mourinho ka punuar me 35-vjeçarin spanjoll gjatë tre viteve që drejtoi “Los Blancos” (2010-2013). Problem mbetet rroga e lartë e Sergio Ramos, por për një përforcim të tillë, aq më pak me parametra zero, ia vlen të sakrifikosh. /abcnews.al