Laçi ka mbetur pa trajner me largimin e Armando Cungut, ndërkohë që në seancën e sotme ka drejtuar durrsaku Stavri Nica. Ende nuk ka një vendim se kush do jetë trajneri i ri, por me Apoloninë me shumë mundësi do jetë Nica. Për vazhdimësinë më pas mund të shikohet ndonjë opsion tjetër. Zyrtare nga ana e Laçit ende nuk ka konfirmim, veç largimit të shkodranit.
Kjo lëvizje u komentua dhe në emisionin “Pressing” në ABC, teksa Sulejman Starova u shpreh kështu: “Nuk e meriton t’i thuash që nuk i menaxhon kapacitetet Cungu. Ai e ka treguar që i menaxhon. U shtua presioni nga mungesa e pikëve. Një barazim krijon situatë jo të mirë për çdo skuadër. Reflektohet te skuadra çdo rezultat.
Shikoni Vllazninë, ka entuziazëm, dashuri për të luajtur. Ndodhi sepse u vu në diskutim realizimi i objektivave. Shtatë pikë rikuperohen, janë luajtur vetëm katër ndeshje. Nuk është e mirë kur një klub e ndryshon trajnerin në fazën e parë. Do niset nga e para. Vjen trajneri tjetër, do kohën e vet.
Mendoj se kjo gjë do të kalojë. Kur rezultatet mungojnë gjatë, atëherë po, heq trajnerin se nuk ke çfarë i bën skuadrës. Kjo nuk është situata e Laçit. Ata nuk kanë rezultatet, por as pretendentët e tjerë nuk i kanë. Pas Vllazninë, duhet të komplimentojmë Kastriotin”. /abcnews.al