Vrasja e të riut Ramazan Mataj në Postribë të Shkodrës, ka rikthyer frikën e fenomenit të gjakmarrjes në këtë zonë.
Që ditën kur u zbulua ngjarja, familja Hasaj, dy djemtë e të cilës ndodhen në burg për vrasjen e 33 vjeçarit janë ngujuar, sipas zakoneve kanunore.
Rustem Hasaj shprehu pendesën e thellë për ngjarjen ku janë përfshirë djemtë e tij dhe se ngjarja i ka tronditur.
“S’kam pas asnjë dijeni për konfliktin as mosmarrëveshje. Jam babai i dy djemve të arrestuar. Kjo fatkeqësi na ka ndodh të dy palëve. Unë kam kërku ndjesë familjes së viktimës dhe gjithë fshatit.”
Me dy djemtë në burg për vrasje dhe frikën se familja Mataj do të hakmerret, Rustem Hasaj apelon për ndihnmë.
“Jemi 7 anëtarë në familje pa bukë, pa shtëpi! Shteti të na ndihmojë. Jena në kushte të vështira. Jemi 7 vetë në familje, përfshirë 4 fëmijët e djalit që është në burg. Jemi për mbijetesë. S’kemi asnjë të ardhur. S’kam as pension as asistencë, asgjë. Unë jam në ngujim jam në gjendje të mjerueme nga ana e ekonomisë. I lutem drejtësisë, popullit, kujtdo të na ndihmojë, mos i raftë kujt kjo punë. Unë përpara kam punuar me makinë, taksi pa licensë, çoja bashkëfshatarët në destinacionet e tyre. Edhe djemtë kanë punu sa për të jetuar, por ata ranë në burg. Tani jena pa asnjë të ardhur me 7 vetë në familje”.
Kryetari i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Shqipërisë, Dedë Shullani, takoi familjen e autorëve. Sipas tij po punohet që të rifillojë komunikimin mes dy familjeve.
“Qëllimi jonë ishte të komunikojmë me familjet. Na si shoqatë komunikuam me familjet me qëllim që mes dy familjeve me kalimin e kohës të ketë komunikim mes dy familjeve. Ti lëmë familjet të jetojnë në paqe. Familja e autorit në gjendje shumë të vështirë. Ishte i përuuklu dhe i mërzitur babai. Ne si misionarë nuk do ti ndajmë vizitat në këto familje.”
Prej dy javësh, familjet Mataj dhe Hasaj janë në konflikt të hapur me njëra-tjetrën, ndërsa frika se vrasja mund të pasohet nga ngjarje të tjera kriminale mbetet shqetësim për të gjithë komunitetin.
Ramazan Mataj u vra me breshëri kallashi në zonën e Dragoçit teksa ishte në makinë. Tre ditë pas krimit, policia zbuloi autorin e dyshuar dhe bashkëpunëtorin e tij, 2 vëllezër, bashkëfshatarë të viktimës, Arjon dhe Kisman Hasaj. Autori ka deklaruar se Mataj ka qenë shkak u prishjes së dy martesave të motrës së tij, ndaj dhe mori vendimin për ta ekzekutuar./abcnews.al