Ngritja e KLP pas shpalljes së kandidaturave të komisionit të Shoqërise Civile

schedule15:18 - 7 Janar, 2018

schedule 15:18 - 7 Janar, 2018

Vonesa e kandidaturave të ardhura nga Shoqëria Civile për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të pretenduara edhe si fajtorët e vonesës së ngritjes së këtij institucioni, tashmë ndodhen të depozituara pranë institucionit të avokatit të popullit. Tre janë emrat që kanë kaluar verifikimin dhe që në bazë të procedurës ligjore, pritet ti kalojnë për verifikim një nënkomisioni ad hoc.

Prej datës 28 dhjetor në faqen zyrtare të avokatit te popullit është publikuar raporti i vlerësimit të dokumentacionit plotësues të praktikës së Komisionit të Shoqërisë Civile për kandidatët nga radhët e këtij grupimi për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Në këtë raport renditen edhe kandidatët të cilët sipas Komisionit, pas seancave dëgjimore të 20 dhjetorit, plotësojnë kushtet për anëtar i Këshillit.
Me numër protokolli 193 dhe datë depozitimi 28 dhjetor 2017, dokumentacioni i depozituar pranë Avokatit të Popullit kërkon përcjelljen e informacionit në dispozicion të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, për shkak të afateve ligjore, edhe pse ligji për organet e sistemit të drejtësisë nënenin 156 të saj ngarkon Kreun e Komisionit të Shoqërisë civile që t’i përcjellë sekretarit listën me emrat e kandidatëve që kanë marrë më shumë pikë.

Kujtojmë se pamundësia e ngritjes së KLP-së shkakton një efekt domino në mos-funksionimin e institucioneve të drejtësisë, duke nisur me atë të shpalljes së përfundimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe listimit të kandidatëve që e zëvendësojnë atë.
Duket se tashmë topi ndodhet në derën e ligjvënësit shqiptar, Kryesisë së Kuvendit dhe më specifikisht Sekretarit të përgjithshëm të saj.

Sipas nenit 35 pika 2…
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, jo më vonë se 10 ditë nga paraqitja e listës dhe dokumentacionit shoqërues, verifikon nëse kandidatët plotësojnë kushtet e parashikuara në Kushtetutë dhe ligj.

Nisur nga data e protokollit në dokumentin e depozituar pranë avokatit të popullit, ky afat përfundoi më 7 janar 2018. Por është pika 3 e po këtij neni ajo që i lejon sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit një afat prej 5 ditësh për të kërkuar plotësimin e dokumentacionit nga ana e kandidatëve.

Data në të cilën plotësohet dokumentacioni i kërkuar, ose afati i përcaktuar për plotësimin, konsiderohet dita e paraqitjes dhe regjistrimit të listës së kandidatëve dhe dokumentacionit shoqërues në Kuvend.

Duke lënë kështu edhe më shumë elasticitet në afatet kohore të përcjelljes së listës me emrat e kandidatëve që plotësojnë kushtet, listën me emrat e kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte si dhe një raport ku vlerësohen këto kandidatura.
Brenda ditës së nesërme nga dita e hartimit të këtyre dokumentave, Sekretari i Përgjithshëm i dërgon ato pranë Komisionit të Ligjeve, i cili vetëm tre ditë nga shpallja e listës së Sekretarit të Përgjithshëm, krijon një nënkomision me 5 deputetë, 3 të mazhorancës dhe 2 të opozitës, për vlerësimin e mëtejshëm dhe përzgjedhjen e kandidatëve. Nisur nga Kushtetuta dhe ligji, Sekretari i Përgjithshëm i kuvendit i bën publike në faqen zyrtare të Kuvendit, jo më vonë se 10 ditë pas regjistrimit të listës së kandidatëve në Kuvend./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!