Ngritja dhe rënia e “Çapjave” të Elbasanit/ A i erdhi fundi sagës së përplasjeve me armë që shkaktoi dhjetëra viktima e të plagosur

schedule18:30 - 25 Shkurt, 2023

schedule 18:30 - 25 Shkurt, 2023

Emri i tij, për 18 vite ka qenë i lidhur ngushtë me ngjarje të bujshme kriminale brenda dhe jashtë vendit.

Është hetuar, arrestuar dhe u ka shpëtuar tre atentateve, por gjithmonë kishte fituar betejat e tij me drejtësinë, ndonëse jo gjithmonë me rivalët.

Ky është Ardian Çapja, i cilësuar si “truri” i familjes Çapja.

Për shumë vite me radhë, mbiemri i kësaj familje u shkrua me gërma të mëdha në faqet e para të gazetave dhe periodikisht ishte kryefjalë e kronikave televizioneve.

Duket se kësaj here, 57-vjeçari Ardian Çapja do të humbasë.

Ai ndodhet në qeli prej 23 muajsh, që kur u arrestua me akuzën e vrasjes, më 29 mars të vitit 2021.

Ndërsa më 17 shkurt, SPAK shpalli pretencën, duke kërkuar burgim të perjetshëm për të.

Kush është Ardian Çapja? Çfarë fshihet pas betejave të përgjakshme me grupet rivale e në disa raste edhe me Policin?

Historia e një familjeje që për vite me radhë ia doli të ishte e paprekshme dhe që në fund duket se po thyhet.

Një përplasje e ashpër që nisi 18 vite më parë në qytetin e Elbasanit, me futjen në lojë edhe te killerave me pagesë, atëherë kur Ardian Çapja administronte bizneset e familjes bashkë me të vëllain, Sokolin.

Por vrasja e Sokol Çapjas solli dhjetëra përplasje me armë, viktima e të plagosur, që e kthyen Elbasanin në një arenë lufte.

Në fillim duke eleminuar ata që i kishin pajtuar për të mbyllur hesapet e tyre e më pas duke përfunduar vetë në shënjestër.

Ndërsa tani, duket se historia e Ardian Çapjas e familjes së tij po merr fund pikërisht nga një prej atyre që paguan për t’u hakmarrë ndaj atyre vrasësve që nisën këtë betejë të përgjakshme.

Ervis Bardhi, një djalë që në vitin 2012 lidhi një “kontratë” të për vrarë vrasësin e Sokol Çapjas, tashmë është kthyer në të penduar.

Ai vetë u identifikua nga një gjurmë gishti, në targën e makinës së djegur që u përdor për vrasjen.

Në fillim ishte në kërkim. Më pas u dorëzua për të treguar gjiçka që dinte.

Tregoi aq shumë, sa sot, i paprekshmi Ardian Çapja rrezikon mbetet në burg edhe për gjithë pjesën e mbetur të jetës.

Saga e vrasjeve daton në maj të vitit 2005, atëherë kur Sokol Çapja qëllohet për herë të pare dhe i shpëton një atentati.

MAJ 2005

Sulmi i parë ndaj Çapjave.

Sokol Çapja, qëllohet me armë zjarri dhe ndiqen deri në derën e shtëpisë, por iu shpëton plumbave.

Autor i këtij sulmi ishte Rezart Çela, me të cilin Sokoli kishte pasur një konflikt.

Sokol Çapja, 33 vjeç, administronte bashkë me të vëllain hotelin “Univers”, që ruhej me polici private nga Ilir Rexhepi. Sulmi me armë ndodhi ne derën e objektit që ruhej nga policët private.

Konflikti mes tij dhe Rezart Çelës ndodhi për disa makineta lojërash fati që italiani Paolo Mazzuco, pas shumë vitesh aktivitet në Elbasan ia la në administrim Sokolit dhe vetë iku nga Shqipëria.

Për shkak të njohjeve që kishte krijuar në Elbasan, shtetasi italian kishte arritur të shmangte taksat, derisa u kërcënua dhe u detyrua të largohej.

Rezart Çela mbikëqyrte një prej pikave me makineta lojërash fati dhe pasi shtetasi italia u largua, ai refuzoi t’ia dorëzonte Sokol Çelës, që tashmë kishte marrë administrimin e tyre.

Kjo ishte shkëndija që solli konfliktin mes tyre, derisa Rezarti qëlloi me armë në drejtim të Sokolit.

17 GUSHT 2005

Ekzekutohet Rezart Çela.

Pas sulmit me armë që iu bë, Sokol Çapja kërkon që Rezarti të eleminohej.

Këtë detyrë ia ngarkon atij që i ruante bizneset me policë privatë, Ilir Rexhepit.

Iliri gjen tre persona për të realizua vrasjen e porositur. Kunatin e vëllait të tij, Dritan Shemen bashkë me kushëririn e tij, Gentian Beqirin dhe Armando Hasanin.

Dritan Sheme kishte disa muaj që ishte kthyer në Shqipëri, pasi kishte kryer një dënim në Holandë për trafik droge. Ndërsa Armando Hasani dy muaj më parë kishte plagosur një person te pallati i sportit.

Sokoli kishte premtuar 30 mijë euro për vrasjen e Rezartit.

Fillimisht ka paguar 15 mijë euro paradhënie, ndërsa pjesën tjetër ka premtuar se do ia jepte Dritan Shemes pasi të ishte kryer vrasja.

Dritani, bashkë me dy të tjerët e realizojnë vrasjen e Rezart Çelës në kohën kur Sokol Çapja kishte udhëtuar drejt Sarandës bashkë me një oficer të lartë Policie.

Rezarti, 27 vjeç, ekzekutohet në hyrje të shtëpisë së tij, pranë degës së Tatim-Taksave në Elbasan.

Disa ditë më vonë, Dritan Sheme kërkon pjesën tjetër të parave, por Sokoli po vazhdonte të vonohej për pagesën.

Duke qenë se bisedat nuk po jepnin rezultat, as me ndërmjetësimin e Ilir Rexhepit, në shtator ndodh një përplasje me armë mes dy grupeve, të Çapjas dhe të Shemes.

Por duket se ky nuk ishte konflikti i vetëm mes tyre.

Sipas dëshmive të asaj kohe, ata ishin prishur edhe në pazare për çështje droge dhe Dritani ishte betuar që do ta vriste Sokolin.

26 DHJETOR 2005

Vritet në Elbasan Sokol Çapja.

Sokoli i kalonte shpesh mbrëmjet në një lokal me emrin “Akuario”, në rrugën Rinia në afërsi Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

Edhe mbrëmja e 26 dhjetorit të vitit 2005, ishte një nga ato të zakonshmet për të.

Sokoli 33-vjeçar, si pronar i kompleksi të madh, edhe influenca e tij ishte e madhe në Elbasan.

I shoqëruar nga dy vajza, ai futet në lokalin që e kishte frekuentuar edhe më parë dhe ulet bashkë me dy mikeshat e tij.

Nuk kalon shumë kohë dhe aty futen edhe 4 persona të maskuar e të armatosur.

Pasi u kërkojnë të pranishmëve që të largoheshin nga lokali, i drejtojnë automatikët nga Sokoli i shkrepin pa mëshirë.

Sokol Çapja bie në tokë i bërë shoshë nga të paktën 22 plumba. Ndërsa autorët, të siguruar për vrasjen, largohen duke hipur në një makinë që i priste jashtë lokalit.

Asnjë dëshmitar nuk arriti t’i identifikonte. Por nisur nga konflikti i mëparshëm, Policia kishte tre të dyshuar.

Dritan Shemen, Gentian Beqirin dhe Armando Hasanin.

Të tre u ndaluan nga Policia ndonëse më vonë arritën t’i shpëtijnë drejtësisë.

Megjithëtë nuk i shpëtuan dot hakmarrjes.

Dritan Sheme, i afërm shefit të qarkullimit të asaj kohe, Fadil Memës, do të ekzekutohej një vit më vonë në Tiranë.

Ndërsa Gentian Beqiri pas 7 vitesh, brenda shtëpisë së tij në Elbasan.

30 JANAR 2006

Plagoset shefi i Qarkullimit Rrugor, Fadil Mema.

Pas vrasjes së Sokol Çapjas, familja e tij e dintë shumë mirë se cilët ishin autorët, madje ata fajësonin edhe Fadilin.

Ai ishte i afërm i Dritan Shemes, që ishte fshehur pas vrasjes së Sokolit.

Për t’i dhënë një mesazh Dritanit, u qëllua me 11 plumva ndaj Fadil Memës. Autor i plagosjes së Memës u dyshua Florenc Çapja.

Florenci u arrit të identifikohej nga Ardian Ibrahimi, kunati i Fadil Memës, i cili ishte dëshmitar në atë ngjarje.

Policia e arrestoi, por pas presioneve që nisën ndaj Fadilit e familjes së tij, në një moment ai ndryshoi dëshminë, duke e nxjerrë nga qelia autorin.

Por për Çapjat kjo nuk mjaftonte. Ata nuk do ia falnin dëshmitarit Ardian Ibrahimi.

Qëndrimi në qeli për një muaj ishte shumë për Florenc Çapjan.

28 MAJ 2006

Ekzekutohet dëshmitari okular, Ardian Ibrahimi.

Kunati i Fadil Memës, jetoi vetëm 4 muaj pasi artikuloi emrin e Florenc Çapjas, si autor të plagosjes.

Pasi u mbajt nën vëzhgim për disa javë, Ardian Ibrahimi u ekzekutua me 5 plumba.

Ai u vra në një lokal, ku ishte duke pirë dhallë me shokun e vet.

Dy persona me motor janë afruar para lokalit dhe më pas kanë hyrë brenda. Të maskuar e të veshur me të zeza, ata kanë hapur zjarr duke vrarë Ardianin.

Ndërsa mbeti i plagosur edhe kamarieri.

Për këtë ngjarje u arrestua Saimir Bako, i dyshuar si vrasës me pagesë, i cili u identifikua nga analiza e AND. =

19 TETOR 2006

Vritet në Tiranë, Dritan Sheme.

Më 18 gusht të vitit 2006, Policia ndalon në Fier Ardian, Fejzi, Enver e Agron Çapjan, si dhe kunatin e tyre Behar Shehu.

Gjithashtu, bashkë me ta ndalohen edhe Dritan Hatija e Sajmir Baku.

Në makinat e tyre u gjetën pistoleta dhe automatikë. Nga të gjithë të ndaluarit, u dënua dhë bëri 6 muaj burg vetëm Ardian Çapja.

Policia kishte të dhëna se këta persona ishin nisur për të vrarë Dritan Shemen, pasi ishin informuar se po qëndronte në një hotel në Sarandë.

Pas arrestimit të tyre atentati dështoi, por jo për shumë kohë.

Autorët arritën të zbulojnë se kush ishte e dashura e Dritanit. E mbajtët në vëzhgim derisa ajo i çoi në adresën ku jetonte.

Dritani prej pak kohësh qëndronte në një apartament në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë.

Mbrëmjen e 19 tetorit, në një rrugicë tërësisht të errët pranë shtëpisë së tij, Dritan Sheme u ekzekutua me breshëri kallashnikovi.

Edhe sot e kësaj ditë kjo ngjarje vijon të jetë e pa autor.

2 MAJ 2009

Plagoset në Torino, Fadil Mema.

Pas përplasjeve të përgjakshme dhe paralajmërimeve që mori nga familja Çapja, ish-shefi i Qarkullimit largohet drejt Italisë.

Ai vendoset në Torino bashkë me familjen e tij dhe fillon punë.

Me një kopje të deklarimeve të tij të dhëna para prokurorit Xhevat Hana në Shqipëri, Fadili ka kërkuar azil në Itali.

Ka qenë një material rreth 80 faqe, deklarime të shkruara me dorë mbi, që ai i ka dorëzuar në Torino, në vitin 2006.

Kërkesa u pranua nga autoritetet italiane vetëm pas tentativës tjetër të vrasjes, që iu bë në Torino më 2 maj 2009.

Fadili u qëllua kur po shkonte në punë, por arriti t’u mbijetojë plagëve.

Policia italiane deklaroi si autor të dyshuar të vrasjes një shtetas me emrin Arsen, nga Cërriku.

Familja e tij gjithmonë ka fajësuar familjen Çapja për atë që ka ndodhur.

22 KORRIK 2009

Vritet ish-agjenti Policisë

Kunati i motrës së Dritan Shemes, një prej vrasëse të Sokol Çapjas,  humb jetën në një atentat të mirëorganizuar.

Ish-agjentit i policisë së Elbasanit, mbeti i vdekur në vend, pasi dy breshëri kallashnikovi u shkrepën mbi të mëngjesin e 22 korrikut.

36 – vjeçari ra në pritë sapo doli nga shtëpia, në lagjen “Vullnetari”, kur po drejtohej për tek parkingu i makinës.

Në këtë moment një motor me dy persona të maskuar e të armatosur i ka prerë rrugën duke qëlluar pa pushim për 5-6 minuta.

Ngjarja e rëndë është parë nga shumë banorë, madje edhe nga nëna e tij që banonte në pallatin përballë.

Roland Rexhepi, që njihej si “Doda”, për disa vite punonte si asgjent i krimesh në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit.

Ndërsa më vonë u largua nga Policia, për të punuar si përgjegjës i rojeve privatë të stadiumit.

Rreth dy muaj pas vrasjes Rolandit, Policia e Elbasanit konfirmoi se personat e dyshuar në vrasjen e tij ishin Marjus Tafa dhe Armand Llakaj, dy njerëz të afërt të familjes Çapja.

Edhe pse dy të akuzuarit asnjëherë nuk e kanë pranuar krimin, ata u dënuan me 23 e 25 vjet burg.

Prova e rëndësishme për Prokurorinë ishte akti i ekspertizës së ADN-së mbi shenjat e lëna në armë dhe motor, si dhe maskat që autorët përdorën në krim.

30 DHJETOR 2011

Vritet Ilir Rexhepi

Dy vite pas Roland Rexhepit, vritet edhe i vëllai, Ilir Rexhepi.

Shefi policisë privatë qe siguronte bizneset e familjes Çapja, u ekzekutua  teksa ecte në rrugë, në lagjen “Vullnetari”, në Elbasan.

Në momentin e vrasjes, Iliri ka mundur të reagojë duke plagosur një nga autorët, por ata janë larguar shumë shpejt.

Vetëm pak ditë para këtij krimi, Prokuroria e Elbasanit kishte kërkuar 48 vite burg për vrasësit e vëllait të tij, Roland Rexhepit.

Për vrasjen e Ilirit, Prokuroria nxori një urdhër ndërkombëtar për Bledar Muçën.

Muça u largua nga dogana e Kapshticës në drejtim të Greqisë e më pas në Belgjikë.

Më vonë ai u paraqit vetë në Polici dhe ngriti një alibi sikur në momentin e vrasjes ndodhej në një lokal jashtë Elbasanit me disa miq dhe për këtë paraqiti pamje filmike.

Akuzat për Bledar Muçën ranë dhe çështja u pezullua nga Prokuroria.

Para dy vitesh Gjykata e Elbasanit ka shpallur në kërkim Mihal Toshi, si i dyshuari kryesor për vrasjen e biznesmenit Ilir Rexhepi.

Ai po vuan një dënim me 16 vite burg për trafik droge në një burg në Selanik.

Toshi është zbuluar nga një analizë ADN-je, e përftuar nga gjaku që u fiksua në vendngjarje, pasi u plagos nga Iliri, ditën e ngjarjes.

Për vrasjen e biznesmenit janë arrestuar edhe Olsi Leku, Armand Llakaj dhe Marjus Tafa, kur dosja u rihap nga Prokuroria e Elbasanit më 16 tetor të vitit 2020.

15 GUSHT 2012

Vriten babë e bir, Nezir e Gentian Beqiri

Një nga personat që fillimisht ishte paguar për të kryer vrasje nga Sokol Çapja e më pas mori pjesë në vrasjen e tij, ishte edhe Gentian Beqiri.

Në janar të vitit 2006, Gjykata e Elbasanit cakton masën “arrest me burg” për Gentianin, i dyshuar për vrasjen e Sokolit.

Gjatë gjykimit të çështjes në ngarkim të tij,  më 12 prill 2012, e njëjta gjykatë konstaton shuarjen e masës dhe i cakton masën “arrest shtëpie”.

Me caktimin e kësaj mase, Gjykata urdhëron të pandehurin të mos largohet nga banesa e zgjedhur prej tij, e ndodhur në rrugën “Naum Panxhi”, në Elbasan.

Mëngjesin e 15 gushtit, disa persona iu drejtuan apartamentit të Gentianit, në lagjen “Sporti i Vjetër”, dhe policëve që qëndronin tek dera iu prezantuan si shokë të Beqirit.

Derën e shtëpisë e ka hapur i ati i tij, Neziri, ndërsa ata sapo u futën brenda qëlluan për vdekje me tre plumba në kokë 35-vjeçarin Gentin Beqiri.

Ai ishte i shtrirë në dhomën e gjumit, pasi ishte i paralizuar.

Ndërsa babai i tij u rrah barbarisht me sende të forta dhe u godit. Nga goditjet ai pësoi hemorragji në tru e në mëlçi dhe ndërroi jetë.

Që nga koha e implikimit dhe e vënies nën akuzë për pjesëmarrje në vrasjen e Sokol Çapjes, Gentian kishte ndryshuar identitet dhe njihej si Ardian Metaj.

Policia e Elbasanit arrestoi së pari dy policët që përgjigjeshin për ruajtjen e tij.

Në shtëpinë e Gentian Beqirit nuk futej kushdo dhe për këtë arsye ishte thurur një plan nga persona që e njihnin, të cilët arrinin të futeshin brenda shtëpisë.

Gjithçka është zbardhur nga i penduari Ervis Bardhi, i cili më 19 qershor të vitit 2019, është paraqitur vetë në ambientet e Policisë së Tiranës duke u vetëdorëzuar.

Ai ka përmendur disa emra si pjesëmarrës, organizator dhe urdhërues të vrasjes.

Ndërsa ka thënë se ishin paguar 50 mijë euro nga Ardian Çapja për vrasjen e Gentianit.

Mes emrave që përmendi Ervis Bardhi ishin: Lorenc Skilja, Etjen Cani, Olsi Leka dhe Klajdi Dokoli.

Lorenc Skilja ka pasur njohje me Gentian dhe pasi ai ka dalë nga burgu me arrest shtëpie, Lorenci i ka shkuar disa herë në shtëpi.

Në një nga këto takime, Lorenci ka marrë me vete edhe Etjen Canin, i cili pasi u njoh me Gentianin ka filluar të shkojë vetë aty dhe qëndronte gjatë me të.

Gjatë kësaj kohe ai hynte e dilte pa u shqetësuar nga policët që e ruanin.

Disa muaj përpara vrasjes së Gentian Beqirit, Etjeni e ka ftuar edhe Ervis Bardhin që të shkonte aty.

Ervisi po ashtu kishte njohje me Gentianin, pasi kishte qëndruar në një nga qelitë ngjitur me të në burgun e Peqinit, kur ai mbahej në paraburgim për vrasjen e Sokol Çapjas.

Hyrjet dhe daljet e tyre kanë qenë të shpeshta në banesën e viktimës.

Ditën e ngjarjes, Nezir Beqiri nuk e hapte derën, por pasi I prezantohen ai i lejon të futen brenda.

Olsi Leka zbulon që në atë moment  nëna e viktimës po zbriste, i thotë që duhet të ikin. Ervisi godet fillimisht viktimën dhe në mënyrën se si e përshkruan është e njëjtë me pozicionin se si u gjet viktima.

Dëshminë e mënyrës  se si është qëlluar viktima, prokurorët e quajnë si provën më të rëndësishme.

Prandaj e kthen dosjen pas për ta përcaktuar si vrasje me pagesë apo vrasje në bashkëpunim.

13 MARS 2015

Vritet në Torino Fadil Mema.

Ish-shefi i Qarkullimit, që u shpëtoi dy atentateve, mbetet i vrarë teksa po dilte nga banesa ku jetonte në Itali.

Ai u qëllua 14 herë, ndërsa 7 nga plumban e goditën në trup duke i marrë jetën.

Atentatorët u dyshua se ishin dy dhe u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Dosja hetimore që identifikoi autorin e vrasjes së biznesmenit Ilir Rexhepi, zbuloi edhe organizatorin e autorin e vrasjes së Fadil Memës në Torino.

Sipas Prokurorisë organizator ishte Anastas Çollaku, i cili ka qenë gjithmonë ndërmjetës familjes Çapja në Elbasan dhe organizator i disa vrasjeve dhe atentateve për llogari të tyre.

Në herën e parë Çollaku dështoi për ta vrarë duke e lënë të plagosur, ndërsa më pas i mori jetën.

Vrasja u organizua bashkë me një shtetas grek, Dimitri Pavlidis, i cili qëlloi duke lënë të vdekur Memën.

Ndërsa Sajmir Serjani ka ndihmuar në informacion dhe më pas ka djegur makinën e përdorur gjatë vrasjes, në Asti.

Pas vrasjes, Çollaku dhe Pavlidis u zhdukën në Gjermani.

3 SHKURT 2016

Vriten 3 anëtarë të familjes Çapja

Mbrëmjen e 3 shkurtit, në lokalin që në Elbasan njihet me emrin “Rrapi i Gonit”, pjesëtarë të familjes Çapja, të afërm e miq të tyre ishin bledhur për një gëzim familjar.

Arnoldi, djali i Agron Çapjas, pronarit të lokalit ishte kthyer para 3 ditësh në Shqipëri.

Për të festuar kthimin e tij ishin mbledhur 10 vetë. Të paktën kështu thotë Policia.

Megjithatë mund të kenë qenë edhe më shumë, por emrat e tyre nuk u përmendën askund.

Policia shpërndau vetëm emrat e 3 të vrarëve dhe 8 të plagosurve.

Nuk kishte kaluar as një orë nga nisja e dollive në lokal, kur në drejtim të tij janë derdhur 65 plumba.

Breshëri kallashnikovi, madje dyshohet edhe mitralozi kanë sharruar të gjithë ata që ishin brenda.

Bilanci, 3 të vdekur, 8 të plagosur. Viktimat ishin: Agron Çapja, nipin e tij, Ardit Sinakolin dhe miku i familjes, Eno Bedallin.

U fol se atë mbrëmje u paraqitën për të marrë mjekim në spital edhe Florenc Çapja e Bledar Muça, por sipas mjekut kishin dëmtime të lehta dhe u larguan.

Ndërsa Policia nuk i përmendi si palë të dëmtuar.

Vrasja e 3 personave e plagosja e 8 të tjerëve, ndonëse dukej si një krim i paralajmëruar, për askënd në qytet nuk ishte menduar se mund të merrte përmasa të tilla.

Pemjet e disa kamerave sigurie, por edhe dëshmitarët, treguan se autorë të masakrës kanë qenë të paktën 4 persona të veshur me uniforma kamuflazhi si ato të forcave speciale të Ushtrisë.

Në kokë kishin kapuçë të zinj që mbulonin tërësish fytyrën, përveç syve.

Dy prej tyre kanë zbritur nga makinat dhe kanë qëlluar nga afër lokalit, ndërsa dy të tjerët kanë qëlluar në distancë nga brenda makinave.

11 PRILL 2016

Vritet vëllai i Gentian Beqirit.

Biznesmeni Saimir Beqiri, vëllai Gentianit, të vrarë 4 vite para tij, gjendet i pa jetë në oborrin e një lokali.

Ai ishte vrarë më armë zjarri afër karburantit që ndodhet në fshatin Katund i Ri, në aksin rrugor Elbasan-Metalurgjik.

Sipas Policisë, viktima ndiqej prej disa ditësh nga atentatorët, derisa u ekzekutua mëngjesin e 11 prillit, pranë karburantit në pronësi të tij.

Personat që e ndiqnin lëviznin me një automjet “Mercedez” dhe mbanin paruke.

Policia e Prokuroria ngritën si pistë kryesore të ngjarjes atë të hakmarrjes, lidhur me konfliktin me familjen Çapja.

Madje hetimet u përqendruan kryesisht tek ngjarja e ndodhur dy muaj më parë, ku u vranë 3 anëtarë të asaj familje.

Policia e Elbasanit arrestoi rojën e karburantit që ndodhej pranë lokalit ku ndodhi vrasja.

Shkëlqim Salla, nga Peqini, u arrestua një ditë pas vrasjes se Saimir Beqiri, pasi Policia dyshinte se ka pasur dijeni për ngjarjen dhe nuk e ka denoncuar.

6 QERSHOR 2016

Organizohet atentat ndaj Florenc Çapjas e Bledar Muçës.

Një person me veshje kamuflazhi e me kapele në kokë qëllon me breshëri kallashnikovi makinën ku ndodheshin Floreci dhe Bledari.

Ai kishte qëndruar i ulur në një lokal, në rrugën “28 nëntori”, në pritje që makina të kalonte.

Në këtë kohë ka marrë një telefonatë dhe pak sekonda më pas ka kaluar makina në fjalë.

Ai është ngritur nga kafja dhe ka qëlluar makinën në pjesën e pasme, por plumbat nuk kanë depërtuar pasi makina ishte e blinduar.

Autori ka vazhduar të qellëjë derisa xhamat janë thyer dhe në këtë kohë Bledar Muça ka marrë një plagë në kokë.

Ndërsa Florenc Çapja ka arritur të largohet.

Nga të shtënat u plagos edhe një punonjëse policie, e cila po kalonte rastësisht në rrugë.

Rreth 20 metër larg vendit të ngjarjes, Policia gjeti armën e atentatorit.

Në shkurt të vitit 2017, Policia identifikoi si të dyshuar për këtë atentat, 19-vjeçarin Shkëlzen Hasanpapaj.

Ai u arrestua në Holandë nga ku më pas edhe u ekstradua. Ndërsa tani ndodhet duke vuajtur dënimin prej 10 vitesh burg.

9 QERSHOR 2016

Çapjat sulojnë efektivët e Policisë

Ardian Çapja, Florenc Çapja dhe Bledar Muça arrestohen për një sulm ndaj disa efektivëve civilë të Policisë në Elbasan.

Ata u akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë ndaj punonjësve të policisë, vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim, si dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake.

Për këtë dosje, Policia e Elbasanit, ka shpallur moskompetencën duke ia kaluar në atë kohë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Efektivët e njësisë operacionale që kanë qenë në rol vëzhgimi me mbulim, janë sulmuar në mënyrë të papritur nga pjestarë të familjes Çapja dhe të afërm të tyre.

Në këtë moment, efektivët e policisë që ndodheshin në mjetet e vëzhgimit, kanë dalë nga mjetet dhe janë identifikuar se ishin efektivë policie, ndërsa kishin të veshur jelekë dhe shenja identifikuese.

Pavarësisht kësaj, efektivët janë gjendur sërish në breshëri plumbash, çka ka bërë që ata të reagojnë.

Ndërsa vetë të arerstuarit kanë janë shprehur se po organizohej një sulm ndaj tyre nga persona të veshur si policë.

Kanë pretenduar se nuk kanë qenë në dijeni se ata ishin vërtetë punonjës Policie.

6 GUSHT 2017

Sulmohet me antitank familja Çapja

Kjo është tentative e parë për vrasjen e Ardian Çapjas, brenda shtëpisë së tij.

Ngjarja nuk u raportua nga Policia, megjithëse mjeti tip “BMW X3”, nga i cili u lëshua predha e antitankut, u qëllua me breshëri kallashnikovi.

Makina e përdorur nga autorët rezultoi e vjedhur në Durrës, ndërsa I ishin ndryshuar target në unazën lindore të qytetit.

Predha e antitankut u gjet e pashpërthyer nga Policia në oborrin e shtëpisë së Ardian Çapjas dhe u çmontua nga forcat xheniere.

Pak minuta pas atentatit të dështuar, makina u gjet e djegur pranë spitalit psikiatit “Sadik Dinçi”, rreth 500 mitra larg vendit të ngjarjes.

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje Prokuroria urdhëroi që nga data 11 deri më 26 gusht 2017 të mbaheshin nën përgjim, ambiental, fotografik, filmik dhe me audio, shtetasit Sokol Sanxhaktari, Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri.

Urdhër që nuk gjeti zbatim nga Policia vendore, me arsyetimin se në bazë të planit të lejeve vjetore, oficerët që mund të kryenin këto detyra ishin me pushime.

23 DHJETOR 2017

Qëllohet me kallashnikov Ardian Çapja

Në lagjen “Emin Matraxhiu”, në një rrugicë, persona të paidentifikuar kenë qëlluar me armë zjarri në drejtim të Ardian Çapjas.

Mëngjesin e 23 dhjetorit, atentatorët kanë qëlluar nga një makinë në ecje, në drejtim të Ardian Çapjas, i cili ishte pranë shtëpisë së tij, por ka arritur t’u shpëtojë plumbave.

Më pas, në Lagjen “5 Maji” është gjetur i djegur tërësisht një mjet tip “BMW” me targa të dyshuara të falsifikuara.

22 MARS 2019

Vritet avokati i Çapjave

Ekzekutohet me plumb në kokë avokati Ravik Gurra.

Në atë kohë ai ishte një nga mbrojtësit e Emiljano Shullazit, por njihej si mik i familjes Çapja, që kishte mbrojtur vazhdimisht interest e tyre ligjore.

Avokati është qëlluar me një pistoletë me silenciator nga një person i maskuar, i cili më pas është larguar me një automjet tip “Benz”.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 22 marsit në një lokal në qendër të Elbasanit. Ravik Gurra, 50 vjeç, ishte ulur në verandën e një lokali mjaft të frekuentuar bashkë me dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve avokat, kur është qëlluar për vdekje.

Autori i është afruar pa u diktuar nga askush dhe e ka qëlluar dy herë në kokë.

Pak minuta pas ngjarjes, është gjetur e djegur në dalje të Elbasanit makina tip “Benz”, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.

Nga verifikimet rezultoi që automjeti ishte vjedhur pak kohë më parë në Fushë-Krujë.

8 QERSHOR 2020

Plagoset me snajper Ardian Çapja

Në atentatin e tretë të organizuar ndaj tij, në harkun e 3 viteve, Ardian Çapja plagoset rëndë.

Në orë 09:10 të mëngjesit 55-vjeçari Ardian Çapja, u qëllua nga një plumb spanjperi shumë pranë zemrës dhe u nis me urgjencë në spital.

Sipas Policisë qitja është kryer nga një distancë e konsiderueshme, nga kodra e Krastës.

Çapja u dërgua fillimisht në spitalin e Elbasanit, por më pas është transportuar për tek Trauma, në Tiranë, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kuirurgjikale.

Vetëm pak minuta pasi Policia mësoi për plagosjen, u lajmëruan se në një zonë të pyllëzuar në lagjen “Skënderbej” të Elbasanit po digjej një mjet.

Para se grupi hetimor të mbërrinte në vendin e ngjarjes, një nga efektivët e zjarrëfikëses teksa tentonte të shuante flakët u plagos në këmbë, pasi në mjetin e braktisur ndodhej edhe arma me fishek në fole.

Zjarri që iu vu makinës për të zhdukur gjurmët, solli shpërthimin e një fisheku.

Ky ishte edhe episodi i fundit, të paktën deri tani, në sagën e përgjakshme të “luftës” që nisi në vitin 2005 në Elbasan.

Së fundmi është dhënë pretenca nga SPAK për Ardian Çapjan që ndodhet në burg e nipin e tij, Florencin, që vijon t’i shmanget drejtësisë.

Të dy, herë pas here kanë arritur që me manovrat e tyre, tërheqje kallëzimesh, apo tejkalim afatesh, të fitojnë lirinë brenda një kohe të shkurtër.

Por qëndrimi i Ardian Çapjas për 23 muaj në paraburgim, është një kohë rekord.

Tashmë i takon Gjykatës së Posaçme, që ka në dorë të pranojë ose jo pretencën e Prokurorisë, që kërkon burgim përjetë.

Ndoshta këtë herë, Çapjat do rrëzohen nga froni që mbajtën për 18 vjet./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!