“Ngrijnë” bisedimet mes VV dhe LDK për qeverinë e re në Kosovë, Mustafa mbledh Këshillin drejtues

schedule16:23 - 18 Dhjetor, 2019

schedule 16:23 - 18 Dhjetor, 2019

Drejtuesit e dy partive më të votuara në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, Albin Kurti dhe Isa Mustafa kanë pezulluar prej 4 ditësh bisedimet për arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje. Ndërkohë, LDK ka mbledhur Këshillin drejtues në të cilin do të merret një vendim për koalicionin me Vetëvendosjen.

Janë bërë katër ditë që nuk janë takuar krerët e dy partive më të mëdha në vend LVV-së e LDK-së të cilat synojnë të bashkë qeverisin.
Lideri I LVV-së Albin Kurti nuk ka lënë pa e thumbuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.
Ka thënë se mbetet të shihet nëse kjo mbledhje do të betonojë për koalicion ndërsa për LVV-në tha se do të thërrasë Këshillin Drejtues pas marrëveshjes eventuale me LDK-në.

“Unë me siguri që kam besuar se duhet të ketë takim këtë javë, mirëpo, nuk dua që të ndërhyjë te LDK-ja e cila mësova se ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm si organi më i lartë. Ne në VV besojmë se thirrja e Këshillit në subjektin tonë duhet të mbahet pas marrëveshjes, jo para marrëveshjes”, tha Kurti.

Gjatë ditës është mbledhur edhe kryesia e vjetër e Kuvendit të Kosovës për seancën konstituive të 26 dhjetorit.
“Ishte mbledhje procedurale, janë përcaktuar kornizat e mbajtjes së seancës konstituive. Besoj që me datën 26 dhjetor do të kemi një legjislaturë të re. Shpresoj që shumë shpejt të kemi edhe konstituimin e institucioneve të reja” deklaroi ish- kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli.
Në seancën konstituive të 26 dhjetorit pritet të zgjidhen organet e reja drejtuese të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!