Ngrihet komisioni hetimor për Metën

schedule18:40 - 8 Korrik, 2019

schedule 18:40 - 8 Korrik, 2019

Kuvendi ngriti komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, duke i lënë afat deri në 8 Tetor të vlerësojë nëse Ilir Meta e ka shkelur apo jo Kushtetutën. Komisioni do të drejtohet nga Ulsi Manja dhe në të nuk pranoi të marrë pjesë asnjë deputet i ardhur nga listat e LSI. Ky vendim u mor me 102 vota në parlament.

102 kartonët jeshilë për hetimin e Ilir Metës i forcojnë bindjen mazhorancës se do t’i sigurojnë 94 vota për shkarkimin e Presidentit. Kundër këtij vendimi ishin deputetët e opozitës parlamentare, si Elda Hoti, Lefter Maliqi, Artur Roshi, Suzana Topi, Edlira Hyseni, etj.

Në seancën parlamentare munguan tre ligjvënësit më aktivë të opozitës, Rudina Hajdari, Ralf Gjoni dhe Myzlim Murrizi që kishin kërkuar shtyrjen e këtij vendimi deri në krijimin e Gjykatës Kushtetuese.

Socialistët janë të bindur se kur anuloi 30 qershorin, Ilir Meta ka shkelur të paktën 9 herë Kushtetutën.  Opozita parlamentare është e përçarë për shkarkimin e presidentit, por në një zë kur kritikojnë mazhorancën.

Komisioni hetimor do të ketë anëtarë nga PS, Ulsi Manja, Vasilika  Hysi, Klotilda Ferhati, Bashkim Fino dhe Alket Hyseni, ndërsa nga grupi parlamentar demokrat Alban Zeneli do të jetë zv.kryetar dhe Halit Valteri anëtar. Nga deputetët e ardhur nga listat e LSI nuk ka asnjë anëtar, ndërsa dy vende në komision janë zënë nga Adriatik Alimadhi dhe Krenar Rryçi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!