Ngjarjet tragjike tek “Covid-2”, Mezini në ABC: U mbyllën dritaret dhe u shtua shërbimi i psikologut

schedule20:14 - 23 Dhjetor, 2020

schedule 20:14 - 23 Dhjetor, 2020

Pas ngjarjeve tragjike që ndodhën njëra pas tjetrës në spitalin Shefqet Ndroqi, janë marrë masa të cilat e bëjnë më të vështirë daljen nga dhomat ku pacientët marrin shërbim shëndetësor.

Kështu është shprehur mjeku pneumolog Arjan Mezini në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC. Siç u shpreh mjeku, hapësirat ku mund të dalësh janë kufizuar, dritaret janë mbyllur si dhe është siguruar shërbimi i psikologut.

“Është siguruar shërbimi i psikologut, çdo pacient ka mundësi ta thërrasë. Kjo duhej të ishte bërë më herët sepse kjo është një sëmundje që  nuk të lejon as të afërmit e pacientëve afër. Ka një panik shumë të madh. Mund të ishin parashikuar shumë gjëra të tjera në kohën e duhur.”

Ndërsa, duke folur për situatën aktuale në vend ku numri i rasteve ditore duket se është drejt uljes, Mezini tha se kjo duket edhe tek numri i urgjencave që paraqiten në spitalet Covid, që është më i ulët.

Sipas mjekut pneumolog, në Shqipëri ka ndodhur ai e quan me shaka “imunizimi bio”. Ai shton se pandemia u la të “rrjedhë”.

“E lamë rrjedhën e pandemisë në një mënyrë që njerëzit të infektohen. I lamë virusit rrugë të lirë, një përqindje jo e vogël duhet të jenë infektuar dhe imunizuar. Qarkullimi i virusit është i ulët. 500 mijë njerëz mund ta kenë fituar imunitetin.”

Ndërsa, i pyetur nëse vendi ynë mund ta ketë arritur tashmë imunitetin e tufës, Mezini tha: “Nuk besoj se e kemi arritur, por shumë larg nuk jemi. Më pas, pandemia nuk është se mbaron, por vala shuhet.”

Disa nga problematikat që ai shtroi ishte, hapja më e hershme e spitaleve rajonale, bërja e një numri më të madh testimesh për të parë situatën në të cilën ndodhemi si dhe sigurimi në kohë i vaksinës.

“Duhet të kishim bërë shumë më tepër testime për të parë çfarë duhet të presim. Duke dikur ku jemi, dimë edhe si do t’i organizojmë edhe burimet njerëzore.”

Spitalet rajonale, sipas tij, duhet të ishin hapur që në fillim të verës.

“Duhet të ishin hapur që në fillim të verës. Nëse Shefqet Ndroqi do të punonte si tani, kualiteti që ofron do të ishte më i madh. Në shërbim sanitar, infermieror, të mjekëve…Tek agravimi i gjendjes së pacientëve ndikon edhe kujdesi, sa më i madh aq më e madhe cilësia e punës.”

Vaksina?

“Vaksina është shpresa më e madhe. Jemi shumë vonë, një tremujor vonë. Serbia ka siguruar dozat e para. Ka shumë vende që i kanë bërë kontratat që në kohën e verës. Duhet të ishin marrë edhe masat për logjistikën. Shpresojmë tek vaksina e Oksfordit.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!