Ngjarjet kriminale në vend, Meta: Të zbardhen vrasjet në zemër të qyteteve tona

schedule15:29 - 12 Maj, 2021

schedule 15:29 - 12 Maj, 2021

Nisur nga ngjarjet kriminale që kanë ndodhur në vend përgjatë ditëve të fundit, presidenti Ilir Meta ka dalë me një apel për institucionet për zbardhjen sa më shpejtë të vrasjeve dhe ndëshkimin e autorëve sipas ligjit. Meta shkruan se kjo situatë kërkon masa të menjëhershme reaguese dhe parandaluese nga institucionet e ngarkuara me ligj për mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë publike.

“Revanshi i krimit në qytetet kryesore të vendit kërkon masa të menjëhershme reaguese dhe parandaluese, nga të gjitha institucionet e ngarkuara me ligj për mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë publike.

Autorët e këtyre krimeve duhet të ndalohen sa më parë dhe aktet kriminale të konsumuara në zemër të qyteteve tona, që po tronditin rëndë opinionin, duhen të zbardhen menjëherë nga drejtësia dhe duhet të marrin dënimin më të rreptë ligjor”, shkruan Meta.

Në më pak se 24 orë në vend kanë ndodhur tre vrasje. Në Vlorë dy persona ekzekutuan me breshëri plumbash Bledar Birçajn. Ndërkohë që në orët e mbrëmjes së të hënës në rrugën “5 Maji”, Marius Dema vrau pa dashje shokun e tij Mehmet Qema.

Mbrëmjen e djeshme krimi u zhvendos në Elbasan, ku u ekzekutua në makinë 41-vjeçari Everest Çaka në sy të gruas së tij e cila mbeti e plagosur. Disa vite më parë në Spanjë, atij iu ekzekutua vëllai, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar iu vra kushëriri i parë, Arjan Spahiu në Bruksel. /mv.abcnews.al