Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka shprehur keqardhjen për politizimin e ngjarjes në Bularat ku mbeti i vrarë, Kostandinos Kaçifa. Sipas ministrisë rrethanat janë sqaruar nga autoritetet shqiptare dhe kemi të bëjmë me një rast flagrant agresioni ekstremist ndaj policisë shqiptare.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, bashkë me keqardhjen për ngjarjen e ndodhur sot në Bularat, Gjirokastër, ku humbi jetën shtetasi Konstandinos Kaçifa, shpreh po ashtu keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj. Rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kaçifa, janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare. Policia e Shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet e sotme në zonë dhe një rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar”, thuhet në një deklaratë të ministrisë tonë.
Më tej, ministria bën thirrje për maturi politike dhe diplomatike në lidhje me këtë rast.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme”. Duke bërë thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti sa të qartë dhe të paprecedentë, i sigurojmë fqinjët tanë se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke”, përfundon deklarata./abcnews.al