Policia e Tiranës ka reaguar sërish lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Astir, ku një 21-vjeçare alarmoi policinë duke denoncuar, se mbahej e mbyllur në një apartament.
Në njoftimin zyrtar, policia njofton se janë shpallur në kërkim pesë persona të moshës 29, 36, 31, Joni Sadikaj 26 dhe 40.
Sipas policisë nga veprimet e para hetimore të kryera për këtë rast dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen Sajda Qormja, në apartamentin ku ndodhej, i marrë me qira ditore.
Gjithashtu, theksohet se ishte marrë me qira ditore apartamenti përballë në të cilin shërbimet e Policisë, ditën e djeshme, gjetën gjatë kontrollit, 2 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera personale që do t’i shërbejnë hetimit.
“Vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim. Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.”, thuhet më tej në njoftim.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.