Nga zgjedhjet presidenciale te lufta në Ukrainë, Trump flet për herë të parë pas gjyqit për abuzim seksual

schedule08:27 - 11 Maj, 2023

schedule 08:27 - 11 Maj, 2023

Ish presidenti Donald Trump ka folur për herë të parë pas vendimi të gjykatës të New Yorkut, i cili u shpall fajtor për abuzim seksual ndaj shkrimtares E. Jean Carroll.

Ai foli gjithashtu për zgjedhjet presidenciale, sulmin në Kapitol dhe refuzoi të japë një mendim të qartë në lidhje me luftën në Ukrainë.

Në një debat të organizuar nga televizioni CNN, drejtuar nga gazetarja Kaitlan Collins dhe me një audiencë republikane, ish-presidenti vazhdoi të këmbëngulte se zgjedhjet kishin qenë “të manipuluara”, edhe pse zyrtarët e zgjedhjeve shtetërore dhe federale, zyrtarët e fushatës së tij, dhe shumë gjykata i kanë hedhur poshtë akuzat e tij.

Trump gjithashtu minimizoi në mënyrë të përsëritur dhunën e shkaktuar nga turma e mbështetësve të tij që sulmuan Kapitolin më 6 janar në një përpjekje për të ndaluar certifikimin e fitores së Presidentit Joe Biden.

Përkundrazi, ai tha se ishte i prirur të falte “një pjesë të madhe” të të pandehurve të 6 janarit nëse rizgjidhet. Ai gjithashtu tha se nuk kishte pse t’i kërkonte falje ish-nënpresidentit të tij, Mike Pence, i cili ishte vendosur në shënjestër të turmës.

“Unë mendoj se ai ishte në rrezik,” tha ai duke shtuar se në fakt ishte Pence që “kishte gabuar”.

Trump këmbënguli gjithashtu nuk e njihte shkrimtaren  Carroll, megjithëse e sulmoi atë ashpër.

Ish- presidenti amerikan refuzoi në mënyrë të përsëritur të thoshte nëse do të nënshkruante një ndalim federal të abortit nëse do t’i takonte atij të nënshkruante, duke thënë se ai do merrte vendime vetëm nëse populli do ti aprovonte.

“Unë kërkoj një zgjidhje funksionale,” tha ai.

Trump refuzoi gjithashtu të thoshte nëse dëshironte që Ukraina të fitonte luftën ndaj Rusisë. Moderatorja Collins e pyeti Trump nëse ai e mbështeste Ukrainën.

“Unë nuk mendoj se kush fiton dhe kush humbet. Unë mendoj se si ta zgjidhim në mënyrë që të ndalim vrasjet”, tha ai.

Debati që shënoi edhe kthimin e  Trump në CNN ishte i tensionuar. Ish-presidenti Trump e ka sulmuar vazhdimisht rrjetin televiziv dhe në debatin e së mërkurës e ofendoi gazetaren Collins.

Megjithatë ekipi i Trump e cilësoi ftesën nga CNN si një mundësi për të tërhequr një grup më të gjerë votuesish.

/abcnews.al