“Nga sot njoftimin e merrni në telefon”/ Zgjidhet ankesa e qytetarëve për gjobat e Policisë Rrugore

schedule15:25 - 19 Shtator, 2023

schedule 15:25 - 19 Shtator, 2023

 

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka dhënë sot lajmin e mirë për të gjithë drejtuesit e automjeteve në vend.

Ankesa më e madhe e shoferëve gjatë kësaj kohe, ka qenë fakti se efektivët e Policisë Rrugore i vendosnin  gjoba, ndërkohë që ata nuk viheshin në dijeni.

Nga sot, përmes sistemit e-gjoba, në e-Albania çdo drejtues që kryen shkelje rrogore dhe ndëshkohet  do të njoftohet me mesazh apo email.

Kështu secili do të ketë mundësinë ta shlyej gjobën brenda 15 ditëve dhe të përfitojë ulje të masës së gjobës me 50%.

“Do të duhet që kundrejt konfirmimit të vetë qytetarit të adresës së emalit dhe numrit të telefonit, brenda 7 deri në 10 minuta të marrin njoftimin për masën administrative. Nëpërmjet saj shmangim abuzimet, pasi kemi shumë ankesa nga qytetarë që vijnë për gjobat, duke pretenduar se është jo e drejtë, se nuk kam qenë në këtë aks rrugor, apo atë parkim”, tha drejtori i PSH, Muhamet Rrumbullaku.

“Ky është momenti për t’i bërë thirrje çdo qytetari që nëse do të njoftohet për marrjen e penalitetit të shkeljes rrugore, mund të logohet në e-Albania dhe në momentin që kryen një shkelje rrugore mesazhi i vjen në telefon”, apeloi ministri Balla.

Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato shpjegoi se kështu zgjidhet dhe një nga shqetësimet e shumta të qytetarëve, pasi me ndryshimet e fundit në Kodin Rrugor, nëse pagesa e gjobës bëhet brenda 15 ditëve, shkelësi përfiton 50% ulje të gjobës.

Nisma u prezantua pranë shkollës së mesme “Ismail Qemali” në kryeqytet.

“Këtu kemi një nga shkollat më të mëdha të Tiranës, e në kuadër të masave të reja, të Paketës së Sigurisë në Shkolla, e kjo rrugë bën pjesë e perimetrit të sigurisë, sepse është trotuari dhe rruga ngjitur me oborrin e shkollës, që do të thotë se na duhet të rritim prezencën policore, por shpresoj që shumë shpejt me Bashkinë Tiranë me vendosjen e kamerave të sigurisë dhe ato që regjistrojnë shpejtësinë e mjeteve, ato aksesojnë sistemin dhe çojnë gjobën tek Salla e Komandimit dhe plotësohet masa administrative e njoftohet qytetari”, tha kreu i ministrisë së Brendshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!