Nga sot Ballkani Perëndimor pa roaming, Bushati: Kur ka vullnet politik bashkëpunimi sjell përfitime

schedule12:28 - 1 Korrik, 2021

schedule 12:28 - 1 Korrik, 2021

Nga dita e sotme do të nisë komunikimi pa roaming në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë do të mund të komunikojnë gjatë udhëtimeve në vendet e tjera, të përfshirë në marrëveshje, pa kosto shtesë dhe me të njëjtat tarifa të planit kombëtar përkatës.

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati nëpërmjet një reagimi në rrjetin social “Twitter” shkruan se ky tashmë është një rezultat i prekshëm për qytetarët.

Sipas tij kjo arritje tregon se bashkëpunimi rajonal sjell të tilla përfitime, kur ka një vullnet politik.

Ky proces nisi në mesin e vitit 2019, me uljen e përshkallëzuar të tarifave roaming, me dy etapa, deri në heqjen e plotë të tyre, duke filluar nga 1 korriku 2021. Heqja e tarifave roaming do të lehtësojë komunikimin në lëvizjet e punës dhe turizmit të shtetasve brenda rajonit.

Procesi u mundësua falë një marrëveshjeje rajonale të nënshkruar nga vendet e rajonit në vitin 2019, me ndërmjetësimin e komisioneres së Bashkimit Europian për ekonominë dhe shoqërinë digjitale, Mariya Gabriel.

Heqja e tarifave roaming u bë në modelin e ndjekur më parë nga Bashkimi Europian, që prej qershorit të vitit 2017./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!