Në një operacion të gjerë ku morën pjesë më shumë se 200 forca policie, autoritetet turke sekuestruan dje 1.5 ton drogë, e cila sipas tyre ishte trafikuar nga Shqipëria. Mediat turke shkruajnë se droga e sekuestruar është e llojit skunk.
Por cfarë është kjo lloj droge që trafikua nga Shqipëria drejt Turqisë?
Ekzistojnë tre lloje kryesore të kanabisit, hashashi, marijuana dhe skunk me fuqi të lartë. Skunk po njeh një rritje të madhe.
Skunk përmban nivele më të larta të “THC”-së (tetrahidrokanabinol), e cila është një substancë që u jep përdoruesve më shumë kënaqësi, por mund të shkaktojë efekte anësore të rënda duke përfshirë halucinacionet. Studiuesit kanë zbuluar se skunku mund të çojë në probleme të rënda psikike.
Lexo edhe: Mbi 200 forca nga toka, deti dhe ajri, si u kap 100 mln lira drogë nga Shqipëria në Turqi
Rreziku është tre herë më i lartë për përdoruesit e kanabisit të fuqishëm skunk. Pra ekspertët shprehen se Skunk është një drogë më e rrezikshme se kanabisi standard. Ajo mund të rritet edhe në ambiente të mbyllura të njohura ndryshe si “shtëpi bari”.
Por kjo nuk është hera e parë që bllokohet një sasi e tillë droge në Turqi me origjinë nga Shqipëria. Disa vite më parë një sasi e madhe e llojit Skunk u sekuestrua pas kapjes së kreut shqiptar të një bande e cila trafikonte 1.1 ton Skunk, duke përdorur varka luksoze.
Met Kanani i njohur ndryshe si “Escobari shqiptar” u kap së bashku me disa pjesëtarë të një bande shqiptare duke transportuar 1.1 ton Skunk nga Mugala drejt Stambollit./ Abcnews.al