Nga Sanremo në burg, ndarja me babain e vajzës dhe trafiku i drogës, çfarë dihet për Elsa Lilën

schedule12:56 - 16 Mars, 2022

schedule 12:56 - 16 Mars, 2022

Elsa Lila u arrestua ditën e sotme nga policia italiane pasi ishte pjesë e një grupi trafikimi droge. Këngëtarja shqiptare është arrestuar me 12 të tjerë, të cilët operonin në zonën e Acilias në Romë. Sipas mediave, aktiviteti koordinohej nga një lokal lojërash fati që kishte grupi në Acilia dhe menaxhohej nga këngëtarja.

Por ndërsa sot është bërë kryefjalë e mediave italiane dhe vendase, Elsa Lila është përmendur gjithmonë për artin e saj. Elsa ishte një nga këngëtaret që publiku e përqafoi dhe e deshi shumë. Lila ishte ende adoleshente teksa u ngjit në skenë në 1996 dhe fitoi Festivalin e RTSH. Që atëherë, këngëtarja njohur shumë suksese.

Këtë sukses në Shqipëri, Elsa kërkoi ta ndiqte dhe në Itali.

Ajo preku skenën e madhe të Festivalit të Sanremos me këngën “Valeria” në vitin 2003. Në vitin 2007 ajo mori pjesë sërish me këngën “Il senso della vita”. Që atëherë jeta e artistes ka vijuar në Romë. Elsa është nënë e një vajze 10 vjeçare të quajtur Evita.

Prej shumë vitesh, Elsa është tërhequr nga muzika. Në ato vite, në një intervistë të rrallë për jetën private, këngëtarja tregoi se ndodhej me partnerin e saj në Madagaskar, ku dhe zbuloi se ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë. Ajo tregoi gjithashtu për herë të parë se partneri i saj ishte italian dhe quhej Alessandro.

Ai jetonte prej disa kohësh në ishullin afrikan. Por Panorama Plus shkruan se lidhja e këngëtares dhe babait të vajzës së saj ka përfunduar kohë më parë.
Herë pas here ajo është rikthyer për publikun shqiptarë, duke marrë pjesë në projekte të ndryshme. Kujtojmë prezantimin e Festivalit të RTSH për 3 net.

Në atë kohë për mediat u cilësua si rikthimi i madh i saj, por menjëherë pas spektaklit, ajo u rikthye përsëri në Itali, me sytë nga fama ndërkombëtare.Ajo është përfshirë në politikë vite më parë, kur Partia Socialiste ishte në opozitë dhe hyri në grevën e urisë në Çadrën para Kryeministrisë.

Në vitin 2010, iu bashkua deputetëve në grevën e urisë, duke bërë thirrje që qytetarët të mbështesnin Partinë Socialiste në kërkesën për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 2009-ës. Ka pozuar disa herë dhe krah Edi Ramës. Në vitin 2013, Rama publikoi foton me këngëtaren duke u përqafuar dhe ku shpjegonte se ajo erdhi nga Italia për të votuar Rilindjen.

Elsa ka pasur një jetë të vështirë në fëmijëri dhe adoleshencë, ndërsa në 1997 humbi tragjikisht të ëmën, violinisten e njohur Eva Vishaj, humbje të cilën ajo e ka vuajtur shumë.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!