Ish-“shtylla” e mbrojtjes së Juventus, Giorgio Chiellini ka dhënë një intervistë ditën e sotme për mediat amerikane, nga ku tregoi një “prapaskenë” të karrierës së tij, e cila mund ta kishte ngjitur atë në majat e futbollit evropian ose mund ta kishte rrënuar totalisht karrierën e tij.
Në fillimin të intervistës, Chiellini tregoi se gjatë një merkatoje vere, vitin e së cilës nuk e bën të ditur, mund të ishte transferuar te “galaktikët” e Real Madrid, ashtu siç bëri dikur ish-fituesi i “Topit të Artë”, Fabio Cannavaro.
“Isha një hap larg nënshkrimit për Real Madrid. Davide Lippi, agjenti im, e di këtë më mirë se unë, sepse nuk jam shumë i interesuar për këto gjëra. Unë kam qenë gjithmonë një person shumë i përqendruar për të luajtur, por kam qenë shumë afër nënshkrimit me madrilenët. Në retrospektivë, mund të them se do të kishte qenë një përvojë e mirë, sepse jam dikush që më pëlqen shumë të udhëtoj. Më ka munguar njohja e kulturave të reja dhe ndoshta është edhe një nga arsyet pse kam ardhur të luaj futboll në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”,- u shpreh Chiellini.
Më tej gjatë intervistës, Chiellini thotë se nuk beson se do të kishte sukses në La Liga, teksa shton se më shumë stili i tij përshtatet me futbollin anglez.
“Mendoj se nuk jam lojtar i përshtatshëm për futbollin spanjoll. Do të kisha bërë si Cannavaro dhe Samuel që shkuan të luanin në Spanjë dhe kaluan 2-3 vjet atje. Ndoshta do të kisha qenë një mbrojtës më i përshtatshëm për futbollin anglez, por edhe atje, kur je mbi 30 vjeç është e vështirë të ndjekësh stilin e lojës. Në ato liga pas 2-3 sezonesh gjejnë gjithmonë lojtarë të rinj për t’ju zëvendësuar. Interesimi i Real Madrid ishte një nder, por mund të them se jam shumë i kënaqur me mënyrën se si shkuan gjërat. Të jesh në gjendje të shkruash histori në një klub si Juventusi nuk është diçka që mund ta bëjë të gjithë”,- tha Chiellni në vijimësi të intervistës.
Në vazhdimësi të intervistës, Chiellini bëri një koment edhe mbi finalen e mundshme të Champions League, këtë sezon, teksa shprehet se finalistët e këtij sezoni mund të jenë Inter dhe Manchester City.
“Parashikimi im për finalen e këtij viti është Inter-Manchester City, por Real Madrid është gjithashtu shumë i fortë. Mendoni vetëm për rikthimin kundër PSG-së në raundin e 16-të të vitit të kaluar. Në minutën e 75-të të ndeshjes së dytë francezët dominuan dhe Mbappe dukej si një alien, më pas në minutën e pesëmbëdhjetë gjithçka ndryshoi dhe madrilenët përfunduan duke fituar 3-1. Mendoj se herët a vonë Manchester City do të duhet të arrijë në finale dhe kjo është arsyeja pse unë jam duke vënë bast për finalen e Inter-Manchester City”,- tha italiani.
Në fund të intervistës Chiellini foli dhe për të ardhmen e tij, teksa tha se dëshiron të luaj për një kohë të gjatë.
“Do të doja të luaja për një kohë të gjatë. Koka ime nuk është e lodhur, por trupi im është dhe tashmë ka dhënë disa shenja. Jemi në fund, nuk do të kalojë shumë. Këtë sezon, ndoshta maksimumi një vit, nuk e di… Sinqerisht, pas pensionimit do të doja të qëndroja në botën e futbollit më shumë nga ana e drejtimit sesa nga ana e trajnerit”,- tha mbrojtësi legjendar i Juventus në përfundim. /i.m /abcnews.al