Në mbledhjen e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi ankimimet për zgjedhjet e 25 prillit.
Eksperti ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu kërkoi ditën e sotme shpalljen e pavlefshmëri për zgjedhjet në qarkun e Korçës.
Lexo edhe: KAS shqyrton sot ankesat për 3 qarqet e fundit, PD: Në Korçë u ble vota me 100-300 euro
Logu foli për blerje votash nga 100 deri në 300 euro, ndërsa iu referua një skeme të blerjes së votave nëpërmjet parave dhe shpërndarjes së ushqimeve, ku sipas tij ishin të përfshirë ministri Peleshi, kryebashkiaku Filo, dhe zyrtarë të tjerë lokalë.
“PD ka parashtruar para këtij komisioni se shtetasit Niko Peleshi, ministër i Mbrojtjes dhe deputet i PS-së, Blerina Gjylameti deputete e PS-së, Sotiraq Filo, kryetar i bashkisë Korçë, Kletiona Kita, nënkryetare e bashkisë Korçë, Ilir Bajlozi drejtor i drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore, Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Besa Spaho, drejtore e Agjencisë së Kadastrës në Korçë dhe kandidate për deputete e PS, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, drejtues lokal apo qendror, përfaqësues të PS, individë të skeduar me rekorde kriminale, kishin ngritur një skemë nëpërmjet parave, ndihmave ushqimore, kupona të kartave të identitetit…
Ndaj këtyre shtetasve, PD ka depozituar në Prokurorinë e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, tre kallëzime penale për veprat penale korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje, përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore, shpërdorimin e detyrës, marrjen e paligjshme të dokumentit të identifikimit dhe kanosjen në zgjedhje.
Krahas blerjes së votave nga 100 deri në 300 euro ne kemi parashtruar para këtij komisioni se me qëllim manipulim e vullnetit të zgjedhësve, u shpërndanë ndihma ushqimore për familjet në nevojë apo përfitime të tjera”, tha Logu.
/acbnews.al/